English

Sport-Futboll/ Andis Shala, Në Kërkim Të Një Fanele Kuqezi

- Mbrojtësi i Dande United shpreson në realizimin e ëndrrës së tij kuqezi -. TIRANË, 27 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Andis Shala, futbollisti kosovar i lindur në Gjermani, por që aktualisht luan në radhët e skuadrës skoceze të Dande United, shpreson në një grumbullim me kombëtaren shqiptare. Ka pasur kontakte me teknikun e kuqezinjve, Josip Kuzhe, por ende nuk ka marrë një ftesë për t'u bërë pjesë e kuqezinjve. Sulmuesi i rikthyer në qendërmbrojtës, që luan për fituesin e Kupës së Skocisë, Dande United, për momentin ndodhet bashkë me ekipin e tij në fazën përgatitore parasezonale në Belfast të Irlandës. Ai për momentin është i fokusuar në Europa League dhe ka dëshirë që për kundërshtar të ketë ekipin italian, Juventus, ose gjermanët e Bajern Leverkusenin apo VfB Shtutgartin. Deri tani nuk ka arritur ta realizojë ëndrrën për të veshur fanellën e kombëtares shqiptare për arsye të ndryshme. Por, nëse Dande do të luajë në Europa League me ndonjë nga skuadrat e lartpërmendura, Kuzhe do të ketë mundësi ta shikojë në ndeshje dhe ndoshta i rritet interesimi, sepse mbrojtja është një nga pikat ku Shqipëria gjithnjë ka pasur nevojë. Andisi e ka nisur karrierën si futbollist me të rinjtë e Hanover 96 në vitin 1999. Më 2006-n ai u grumbullua për herë të parë në radhët e të rriturve të skuadrës, ku kapiten ishte shqiptari Altin Lala, por edhe pse ishte pjesë grupit, nuk mundi kurrë të fitonte konkurrencën me veteranët në ekip. Më 2008-n u transferua si talent në radhët e ekipit të Manhajmit, me të cilin mundi të aktivizohej 9 ndeshje, duke shënuar 2 gola. Nga 2009-a luan me Dande United, ku ka koleksionuar 20 prezenca. /a.ke/
KOMENTE