Tiranë, 27 korrik, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka pritur sot në një takim lamtumire ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon L. Uithers II, i cili është në përfundim të mandatit të tij në vendin tonë.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të presidencës, kreu i shtetit mësohet t’i ketë shprehur mirënjohjen e thellë diplomatit amerikan, për gjithë punën e vyer dhe shërbimin e çmuar diplomatik si përfaqësues i aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë.
Presidenti Topi, ka theksuar në takim se “Ambasadorin Uithers do të mbetet i pazëvendësueshëm në kujtesën e popullit dhe institucioneve shqiptare për dashurinë, përkujdesjen dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit diplomaci me një mendësi moderne, të shoqëruar edhe me kontributin e madh në përforcimin e urave të komunikimit dhe miqësisë tradicionale që lidh dy popujt dhe vendet tona”.
Duke e falenderuar kreun e shtetit shqiptar për gjithë ndihmesën dhe mbështetjen e pakursyer personale dhe institucionale, ambasadori Uithers, theksoi se “po largohet nga vendi ynë me kujtimet më të mira për këtë periudhë më tepër se trevjeçare”.
Uithers ka shprehur bindjen se asgjë nuk do ta ndalë popullin shqiptar, që me vlerat, energjinë dhe vendosmërinë e tij të ndërtojë një Shqipëri sa më të mirë të bazuar mbi vlerat universale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjes së mirëqenies së gjithanshme.
Këto janë të detajet e publikuara nga diskutimet e takimit Topi-Uithers, i cili zgjati për mëse 30 minuta, pa praninë e medias.
mit/NOA