English

Tre Vjet Pa Ikonën E Teatrit, Violeta Manushi

TIRANE, 27 Korrik /ATSH/.- Kanë kaluar tre vjet nga ndarja e ikonës së Teatrit Kombëtar, aktores së mirënjohur të skenës shqiptare, Violeta Manushi. "Artistja e Popullit", Violeta Manushi, e cila ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare, ka spikatur me mbi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi. Roli më i spikatur është ai i Teto Ollgës në filmin "Zonja nga qyteti". Për këtë rol, që i dha shumë popullaritet, Violeta Manushi u nderua me çmimin e parë si interpretuesja më e mirë në Festivalin e Filmit në vitin 1977. Ajo u lind në qytetin e Korçës në 6 mars të vitit 1926. E rritur në një familje të varfër, Violeta Manushi u detyrua të punonte që në moshën 12 vjeçare. "Isha 12 vjeç kur filloi lëvizja nacionalçlirimtare dhe u përfshiva në atë lëvizje për çlirimin e atdheut. Në atë kohë isha punëtore tipografe ", është shprehur në një intervistë dhënë disa vite më parë për ATSH-në, "Artistja e Popullit", Violeta Manushi. Me pas Violeta Manushi do t'i kushtohej skenës. "Nuk ishte e lehtë që një vajzë rritur në një ambient konservator, të ngjitej në skenë. Të dënonte opinioni, por skena më detyroi të plotësoja arsimin tim", do të shprehej "Artistja e Popullit". Për herë të parë debutoi në vitin 1946 dhe që atëherë ka qenë aktive me role që e bënë të paharruar për artëdashësit. Protagoniste e shumë veprave të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare, ka interpretuar në pjesët teatrale "Tartufi", "Vajza me flokë të thinjur", "Cuca e Maleve", "Morali i zonjës Dulëka", "Pallati 176" si dhe në filmat "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Rrethimi i fundit", "Mimoza llastica", "Taulanti kërkon një motër", etj. Një nga ikonat e artit skenik shqiptar, Violeta Manushi është vlerësuar edhe me titullin 'Qytetare Nderi' e Tiranës./s.d/f.n/
KOMENTE