English

Turistët e huaj në bregdetin shqiptar, paragjykimi përballë realitetit

Sarandë, 27 korrik, NOA – Në këto ditë të pikut të sezonit veror në të gjithë vijën bregdetare në Shqipëri mbërrijnë për pushime shumë turistë të huaj. Me çfarë imazhi erdhën ata dhe si e përjetojnë Shqipërinë.

Atmosferës së ndezur të një ceremonie dasme që zhvillohet në një lokal buzë detit në Sarandë i janë bashkuar dhe dy turiste norvegjeze. Randi dhe Doris ndjekin me vëmendje çdo rit të një dasme shqiptare, por më shumë ato janë të interesuara për vallet, për mënyrën se si kërcehen ato nga dasmorët. Ardhja e tyre në Sarandë veç anës turistike ka dhe elementë kulturorë.

Doris Forbrego ka ndjekur një kurs vallëzimi me pjesë shqiptare dhe mësimet i drejtonte një koreograf sarandiot. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe 10 pjesëtarët e tjerë të grupit turistik nga Norvegjia.

Të përbashkëtat dhe ndryshimet

Doris Forbrego e njeh Ballkanin: "Kemi qënë në Greqi, në Rumani, në Bullgari etj. Këtu jemi për herë të parë. Kishim shumë vështirësi për të mësuar vallet shqiptare. Pas një jave nuk jemi perfekt, por stilin e kemi kapur. Kemi punuar çdo ditë nga 3 orë me instruktorin. Do ta plotësojmë hartën ballkanike duke shkuar edhe në vende të tjera. Është shumë këndshëm, shohim të përbashkëtat e ndryshimet nga një vend në tjetrin. Këtu në Sarandë, në javën e dytë të qëndrimit gjërat do të jenë më mirë sigurisht".

Frika para ardhjes në një vend ... si Shqipëria

Randi Wunkeb para vizitës në Shqipëri kishte lexuar në internet guidat turistike. Për të marrë informacion kishte kontaktuar edhe me shqiptarë që jetojnë e punojnë në Norvegji. Randi nuk e fsheh edhe një lloj ndjesie fillestare pasigurie se do të vinte me grupin në një shtet të pasigurtë dhe të prapambetur.

"Mendonim se në këtë vend do të kishte më shumë njerëz të varfër. Por nga qëndrimi këtu kemi një pamje reale të kundërt. Qyteti funksionon normalisht me një atmosferë të gjallë turistike si dhe në vende të tjera europiane. Njerëzit janë mikpritës dhe me humor. Kemi parë resorte dhe bukuri natyrore që na kanë befasuar. Syri i Kaltër, qyteti antik i Butrintit, kala e site arkeologjike që flasin për një histori të lashtë. Rruga përgjatë bregdetit Jonian ishte mahnitëse".

Randi thotë se i vjen keq që vlerat turistike dhe historike të Shqipërisë njihen pak në vendin e saj. Për këtë ajo thotë që autoritetet shqiptare duhet të bëjnë më shumë promocion në mediat të ndryshme ndërkombëtare dhe nëpërmjet hapësirave të internetit.

Saranda - atraktive për turistë vendas e të huaj

Saranda (285 km larg Tiranës) mbetet një ndër destinacionet më të preferuara dhe deri më 25 korrik 2010 këtu kanë ardhur rreth 200 mijë turistë vendas dhe të huaj, ose 10 përqind më shumë se një vit më parë. Nga ky total vizitorësh më shumë se 90 mijë janë shtetas të huaj, të cilët mbërrijnë nga "porta" të ndryshme: nga pikat tokësore të kalimit kufitar me Greqinë, nga deti nëpermjet krocierave dhe trageteve të linjës, nga segmentet e brendshme rrugore të vendit etj. Turistët e huaj janë me qëndrim disa ditor, ose që mbërrijnë dhe largohen brenda ditës, siç janë ata të kroçierave.

Vihet re rritje e çmimeve të qirave nga viti në vit

Martini nga Polonia është një fans i bregdetit Jonian. Ai është zhytës profesionist dhe për të katërtën herë po kalon të gjithë sezonin veror duke shijuar botën nënujore të detit Jon.

Martini ka tërhequr në ekspeditat e tij dhe anëtarë të tjerë të klubit të tij të zhytjeve. Është gëzuar shumë kur ka mësuar së fundi që në zonën e Himarës janë zbuluar gjurmët e një anije mesjetare. Si njohës i mirë i nën-ujit dhe mbi-ujit Martini bën dhe vërejtje për plehrat e mbeturinat inerte.

Ende nuk është arritur të menaxhohen mirë, thotë ai: "Ka shumë plehra nën ujë dhe përgjatë bregdetit. Përvec pikave të grumbullimit, ato i gjen të shpërndara kuturu dhe në vendet afër plazheve, apo aty ku qëndrojnë e pushojnë turistët. Sidomos në verë kur qyteti dyfishon numrin e banorëve duhet një sistem i qëndrueshëm për tërheqjen dhe depozitimin e plehrave e mbeturinave". Për Martinin çmimet e ushqimeve mbeten në kufijtë e pranueshëm, por ato të qirave sa vijnë dhe ngrihen nga viti në vit.

Çfarë ju bie në sy turistëve të huaj

Në Sarandë Martini ka ardhur edhe mikun e tij. Antonit i bie në sy që gjatë ditës automjetet nuk respektojnë fare rregullat e qarkullimit. Shoferët mbajnë zërin e lartë të radiove dhe parkojnë ku të mundin, duke penguar lëvizjen e lirshme të mjeteve dhe qytetarëve. Ai do të dëshironte që patrullat e policisë të ishin më prezente në qytet.

Ndërsa Luixhi nga Italia që përjeton qëndrimin e parë në bregdetin shqiptar është i kënaqur. "Kam qënë në Dhërmi dhe në Vlorë. Shumë mirë mu duk dhe Tirana e Durrësi. Shqipërisë i duhen rrugë më të gjëra dhe kualitative për të përballuar fluksin e madh të turistëve që mbërrijnë nga shumë vende".

Zbavitje por edhe vërejtje. Megjithatë një gjë është e sigurtë. Bregdeti shqiptar ga njëri sezon në tjetrin po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj nga vende të ndryshme të globit.

Deutsche Welle

KOMENTE