Turqi - Cameron I Zemëruar Për Pengesat Për Anëtarësimin Në Be
ANKARA, 27 korrik /ATSH-AFP/ - Kryeministri britanik David Cameron shprehu "zemërimin" përballë pengesave që i vihen Turqisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, gjatë një vizite zyrtare sot në Ankara.
"Kur mendoj se çfarë ka bërë Turqia për të mbrojtur Evropën si aleat i NATO-s dhe çfarë po bën aktualisht ajo në Afganistan përkrah aleatëve evropianë, më pushton zemërimi kur konstatoj që përpjekjet tuaja drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të dekurajohen ashtu siç ka ndodhur", deklaroi ai gjatë një fjalimi të mbajtur përpara biznesmenëve.
"Mendoj se është gabim të thuhet se Turqia mund të bëjë roje përpara kampit, por pa u lejuar të hyjë në tendë. Gjithashtu, do të vazhdoj të jem avokati juaj më i vendosur për një anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për një influencë më të madhe në tryezën e diplomacisë evropiane", shtoi Cameron.
Bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE, të filluara në vitin 2005, po përparojnë me ngadalë, veçanërisht për shkak të kundërshtimit të Francës dhe Gjermanisë. Këto vende kanë dyshime për hyrjen në bllokun evropian të një vendi me 73 milionë banorë, pothuaj të gjithë myslimanë.
/I.Pu.