English

Vëzhgim/ Orikum-Radhimë, Profili I Turizmit Elitar

ORIKUM, 27 Korrik/ATSH-H.Koçi/ - Studimi urbanistik i zonës bregdetare Orikum- Radhimë, 20 km në jug të Vlorës, synon ta shndërrojë këtë pjesë të bregdetit, në një hapësirë të turizmit elitar. Kryetari i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, thotë për ATSH-në se, "studimi urbanistik i zonës Rradhimë-Orikum, i hartuar nga një studio italiane, miratuar muaj më parë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, synon t'i japë vlera të tjera kësaj zone, ku, pavarësisht investimeve të realizuara deri tani, struktura turistike është ende me mangësi". Për të konkretizuar këtë studim, Braho sqaron se janë në proces shqyrtimi propozime për projekte dhe leje ndërtimi. Sipas tij, janë dhjetra investitorë që kanë aplikuar pranë bashkisë së Orikumit, për zbatimin e projekteve të ndryshme turistike në zonën bregdetare Rradhimë Orikum. "Mes këtyre projekteve përfshihen resorte, komplekse hotelerike me lartësi limit 2-3 kate", thotë Braho. Studimi urbanistik i zonës Rradhimë-Orikum, i hartuar nga një studio italiane, që u miratua disa muaj më parë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, përfshin një zonë prej 1300 hektarësh me një gjatësi prej 10 km, gjerësi 1000 metra dhe kapacitet akomodues për 50 mijë pushues. Përmes tij synohet të disiplinohet dhe të krijohen kushtet për një turizëm bashkëkohor, me objektiv zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe urban në këtë zonë, ruajtjen e resurseve turistike, kulturore e arkeologjike që ndodhen këtu, ku përfshihen qyteti antik i Orikut, fshatrat e Tragjasit të Vjetër e Dukatit të Vjetër. Po ashtu, përmes studimit synohet të krijohet një model i ri urban për ta shndërruar bregdetin e Rradhimës, në një hapësirë të përshtatshme për të jetuar e zhvilluar aktivitetin turistik. Në të parashikohen zona funksionale e të balancuara, ku veçohen zonat "qendër", "hoteliere" e "rezidenciale". Koefiçienti i shfrytëzimit prej 20 përqind, si dhe ndërtimet deri në 2 katëshe për zonën kodrinore dhe deri në 3-4 katëshe për atë fushore, vlerësohen nga specialistët si elementë mjaft pozitivë, që garantojnë standarde ekologjike. Kësaj i bashkangjitet edhe ruajtja e një hapësire prej 70-100 metrash, duke filluar nga vija e ujit, ku nuk do të lejohen ndërtime, gjë që do të krijojë kushtet për zgjerimin dhe rritjen e kapacitetit mbajtës të plazheve. Aktualisht, në këtë zonë është në proces edhe projekti i ndërtimit të sistemit të kanalizimeve, i cili pritet të nisë së shpejti, i financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Islamike me një vlerë prej 16 milionë USD./ch/
KOMENTE