English

Vlore: Kryetari I Keshillit Te Qarkut Kundershton Kerkesen E Prefektit Per Mbledhje Jashte Radhe

VLORE, 27 korrik/ATSH-H.Koçi/.- Kryetari i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Agron Sharra kundërshtoi sot një kërkesë të prefektit të Vlorës, për një mbledhje jashtë radhe të Këshillit të Qarkut në datën 28 korrik. Kryetari i këtij organi vendimmarrës në nivel vendor bëri të ditur gjatë një konference për shtyp se, "kërkesa e Prefektit është antiligjore dhe nuk bazohet në kuadrin ligjor përkatës". "Në ligjet "Për Prefektin" dhe "Për organizimin dhe funksionimin e organeve të qeverisjes vendore", përcaktohet se një kërkesë e tillë mund të cilësohet e ligjshme, vetëm kur ajo bëhet për çështje që lidhen me sovranitetin e vendit, me rendin kushtetues dhe shëndetin publik", theksoi Sharra. Por, në këtë rast, sipas tij, kjo kërkesë nuk bazohet në asnjë prej këtyre pikave, por bëhet në funksion të një mocioni mosbesimi që një grup këshilltarësh të forcave të ndryshme politike, kryesisht të Partisë Demokratike, kanë bërë ndaj kryetarit të Këshillit të Qarkut, të cilin ia kanë drejtuar institucionit të Prefektit. Sharra është shprehur se, në këtë rast, megjithëse janë shkelur procedurat, mbledhja e Këshillit të Qarkut është menduar të zhvillohet në datën 6 shtator, kur, sipas tij, "janë kthyer të gjithë këshilltarët nga pushimet". Agron Sharra është zgjedhur në krye të Këshillit të Qarkut të Vlorës në muajin qershor të vitit 2007, si përfaqësues i Partisë Demokratike, që ka fituar shumicën e njësive të qeverisjes vendore në këtë qark. /a.ke/
KOMENTE