Islamabad, 28 korrik, NOA – Një aksident i rëndë ajror është shënuar paraditen e sotme në afërsi të kryeqytetit pakistanez, Islamabad, ku një avion pasagjerësh i linjës “Air Blue’ është rrëzuar.
Lajmi konfirmohet nga mediat vendase, sipas të cilave, në bordin e këtij avioni gjendeshin në ato momente 152 persona, 146 prej të cilëve pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit.
Deri tani, lajmet paraprake bëjnë me dijeni se ky avion mund të jetë rrëzuar për shkak të motit të keq, ndërsa ai ishte nisur nga Karaçi drejt Islamabadit.
Ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i afrohen vendit ku ka ndodhur përplasja, që është afro dy kilometra nga Islamabadi, edhe pse kryeqyteti pakistanez është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe kushtet meteorologjike, e vështirësojnë mjaft mbërritjen në vendin e
aksidentit.
n.e/NOA