Londër, 28 korrik, DW - Ndërkohë që Islandës anëtarësimi në BE mund t'i vështirësohet vetëm nga popullsia e saj, për Turqinë anëtarësimi është i vështirë për shkak të rezistencës brenda vetë bllokut evropian. Vetëm britanikët mendojnë ndryshe.
Vend i madh, i varfër, i pazbërthyeshëm: Këto tre fjalë përshkruajnë perceptimin evropian për Turqinë. Nga pikëpamja e sipërfaqes Turqia është më e madhe se Franca, për nga numri i popullsisë gati sa Gjermania, për nga të ardhurat për frymë të popullsisë më e varfër se Rumania.
Ndërsa për perceptimin e tretë të Turqisë, vend i pazbërthyeshëm, botën e huaj, përkatësi në një kulturë tjetër, për këtë flitet shumë pak hapur në BE. Megjithatë nganjëherë kjo del në pah: "Mendoj se një lidhje më e ngushtë e botës myslimane, veçanërisht Turqisë me Bashkimin Evropian është në interesin e të gjithëve. Në çfarë forme dhe mënyre do të bëhet kjo, nëse do të jetë një partneritet i privilegjuar apo një anëtarësim i plotë, për këtë ende po përpiqemi." Kështu u shpreh Merkeli pas paralajmërimit të presidentit Obama për futjen e Turqisë në BE, vitin e shkuar në Pragë.
Ndërsa presidenti francez, Sarkozy është më i drejtpërdrejtë: "Nuk besoj se Turqia e ka vendin në BE. Kjo është një çështje, për të cilën nuk kam ndryshuar mendim."
Megjithatë Angela Merkeli dhe Nicolas Sarkozy nuk mund të ndryshojnë asgjë në faktin që BE zyrtarisht negocion anëtarësimin me Turqinë. Në fund të fundit, shefat e qeverive të vendeve evropiane në vitin 2004 vendosën njëzëri hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Dhjetë deri pesëmbëdhjetë vite më pas do të duhej të kontrollohej nëse Turqia është gati për anëtarësim dhe nëse BE mund ta përballojë pranimin.
Momentalisht nuk duket se ka gjasa për këtë të fundit. Pas pranimit të 12 anëtarëve të rinj në vitet e fundit, në BE është shfaqur një lloj "lodhjeje nga zgjerimi".
Cameroni interesohet jo për Turqinë, por për dobësimin e BE
Harmonizimi i 27 shteteve të BE-së me njëri-tjetrin kërkon shumë para dhe durim, kështu që aktualisht askujt nuk i shkon ndërmend zgjerimi me anëtarë të tjerë të mëdhenj. Përveç David Cameron-it ndoshta, kryeministër i ri i Britanisë së Madhe:
"Kur mendoj se çfarë ka bërë Turqia për të mbrojtur Evropën si anëtare e NATO-s, dhe çfarë bën Turqia aktualisht në Afganistan, atëherë zemërohem, që rruga e saj në BE të pengohet kështu, ashtu siç është bërë deri më tani."
Kështu tha Cameron-i në Ankara. Kryeministri britanik premtoi të jetë avokati më i mirë i anëtarësimit të Turqisë. Në këtë pikë britanikët nuk interesohen aq për futjen e Turqisë në BE, por për dobësimin e BE-së si institucion politik. Sa më e madhe struktura, sa më të ndryshëm anëtarët, aq më i lëkundur partneriteti, kjo është llogaria e hapur e euro-skeptikëve britanikë.
Aktualisht koha punon për kundërshtarët e pranimit. Turqia duhet të vërtetojë që sistemi i drejtësisë dhe i vlerave të saj i përshtatet Bashkimit Evropian. Ky proces po ecën shumë ngadalë përpara, aq sa mund të parakalohet shumë mirë nga numrat 28 dhe 29, kandidatë për në BE, Kroacia dhe Islanda.
Të gjithë kandidatët e tjerë kanë një rrugë të gjatë përpara. Negociatat me Maqedoninë kanë ngrirë për shkak të çështjes së emrit me Greqinë. Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia vetëm sa kanë depozituar kërkesat.
Deutsche Welle