Berisha: Buxheti I Ri Do Të Vijë Në Qeveri Në Muajin Shtator
TIRANË, 28 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave se, buxheti i ri do të paraqitet në qeveri në fillim të muajit shtator dhe brenda po këtij muaji do të kalojë për shqyrtim në Kuvend.
"Buxheti duhet të dorëzohet në qeveri më 1 shtator dhe brenda këtij muaji qeveria duhet ta dërgojë në Parlament. Buxheti i vitit të ardhshëm është përcaktues në zbatimin e programit të koalicionit qeveritar. Ky buxhet, para së gjithash duhet të përmirësojë më tej frymën sociale dhe qëndrimin e njerëzishëm të qeverisë ndaj 820 mijë familjeve shqiptare", nënvizoi kryeministri.
Berisha rikonfirmoi planin e qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke saktësuar se fondi për pensionet në 5 vitet e fundit është dyfishuar.
"Rritja e rrogave dhe pensioneve do të jetë sërish në axhendën e kësaj qeverie. Ka një zotim solemn elektoral timin para mbarë shqiptarëve: për sa kohë do të më votoni do të rris rrogat dhe pensionet. Ne e mbajtëm premtimin e dhe në vitet më të vështira të krizës botërore dhe besoj se vepruam shumë drejt. Kam bindjen më të thellë se kjo politikë dhe ky premtim i mbajtur ka dhënë kontributin e tij të pamohueshëm në parandalimin e krizës në këtë vend.
Kjo gjithashtu, ka bërë që fondi i pensioneve në Shqipëri nga 50 miliardë lekë që ishte në vitin 2005, sot të jetë 109 miliardë lekë", u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë premtoi vazhdimin e programit për përmirësimin e gjëndjes sociale të familjeve shqiptare.
"Buxheti do të forcojë më tej fytyrën sociale të kësaj qeverie, njerëzinë e saj ndaj atyre, që janë me ndihmë ekonomike. Ne jemi ata që kemi dyfishuar fondet dhe ndihmën ekonomike për invalidët. Dua t'u kujtoj kritikëve tanë, se jo tani por në vitin 2007 në raportin e KE-së thuhet se qeveria ka rritur me 36% mbështetjen ekonomike për njerëzit në nevojë dhe kjo do të vazhdojë, se asgjë nuk ka më të rëndësishme për qeverinë se sa kohezioni social", nënvizoi kryeministri Berisha.
Ai përsëriti edhe njëherë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike ndërkombëtare dhe se ekonomia e vendit nuk ka hyrë asnjëherë në recesion, duke njohur vetëm rritje të mirëfilltë ekonomike.
Berisha tha se gjatë këtij viti, Shqipëria do të ketë rritjen më të madhe ekonomike, ndërsa niveli i shpenzimeve të administratës do të jetë ky që u përcaktua me vendimin që morëm për shkurtimin e tyre.
"Ne do të bëjmë një përpjekje të madhe për të kursyer çdo qindarkë nga shpenzimet e administratës. Vetëm me këto shkurtime u realizua tërësisht rritja e rrogave dhe pensioneve. Për vitin që vjen, duhet të studjojmë mundësitë se ku mund të shkurtojmë shpenzimet operative të tjera", theksoi kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.
/n.m/