Uashington, 28 korrik, NOA – Partia për Drejtësi dhe Integrim (PDI), e cila përfaqëson komunitetin çam në Shqipëri, është duke lobuar për çështjen çame në Kongresin Amerikan dhe Uashington.
Një delegacion i PDI-së, i përbërë nga kryetari i kësaj partie Tahir Muhedini ndodhet në SHBA për të lobuar për realizimin e një rezolute për çështjen çame.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve INA në Nju Jork bëri të ditur se kreu i PDI-së, ka takuar disa kongresmenë të cilët janë informuar për çështjen çame dhe për përpjekjet që po bëjnë përfaqësuesit e këtij komuniteti në Shqipëri për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe dinjitoze për këtë pjesë të shqiptarëve.
Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini mbrëmë në Nju Jork ka realizuar një takim edhe me kryetarin e shoqatës patriotike “Vatra”, në SHBA, Gjon Buçaj.
Të dy bashkëbiseduesit e kanë vlerësuar si një fitore të madhe historike, vendimin e javës së kaluar të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për pavarësinë e Kosovës. Siç njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA në Nju Jork, temë kryesore në këtë takim ka qenë çështja çame.
"Tashmë ka ardhur koha që shqiptarët do të thellojnë më shumë bashkëpunimin gjithëshqiptar, drejt përparimit të bashkimit të kombit, ku tashmë në qendër të të cilit është vënë gjithsesi “çështja çame”, deklaroi Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini.
Më tej, ai falënderoi vatranët dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës, për rolin dhe kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare.
“Kurrë nuk do të ndalemi, deri në zgjedhjen e drejtë të problemit Çamë. Vlerësojë lartë mbështetjen dhe përkrahjen tuaj për Çamërinë”, tha Muhedini.
Ai ka theksuar se po punon për internacionalizimin e çështjes çame. “Çamëria tash është problem i të gjithë shqiptarëve, lobimi për këtë çështje ka shënuar rezultate pozitive si në SHBA ashtu edhe në Bruksel"
Muhedini thotë se në takimet e tij në Uashington, ai ka marrë premtime nga disa kongresmenë, senatorë dhe anëtarë të qeverisë amerikane, që ata ta vizitojnë Shqipërinë dhe Kosovën si të ndihmojnë zgjidhjen e drejtë të çështjes çame.
NOA-INA