Tiranë, 28 korrik, NOA – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme vendosi të ulë normën bazë të interesit, me 0.25 pikë përlind, duke e çuar normën e marrëveshjeve të riblerjes me afat maturimi një javor në 5 përqind krahasuar me nivelin e mëparshëm, që ishte 5.25 përqind.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani tha në konferencën për shtyp se “Këshilli Mbikëqyrës pasi vlerësoi balancën e rreziqeve të pritshme, në përfundim të diskutimeve, vendosi të ulë normën bazë të interesit, me 0.25 pikë përqind”.
Guvernatori Fullani tha se tregjet e kanë tretur tashmë këtë masë të BSH-së, duke cilësuar se “E gjithë klima e përgjithshme makroekonomike në vend e mbështetur konsolidimin fiskal do të japë kontributin e saj për implementimin e kësaj mase në ekonominë tonë”.
Fullani theksoi ndërkaq se “Presionet inflacioniste kanë ardhur në rënie, ndërkohë që balancat e jashtme të ekonomisë janë përmirësuar duke u dhënë tregjeve më shumë frymëmarrje.
Sipas Fullanit statistikat zyrtare tregojnë se ekonomia shqiptare i është rikthyer rritjes.
“Pas rënies së prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e fundit të vitit 2009 dhe aktivitetit të dobët ekonomik të muajve të parë të vitit 2010, të dhënat e disponuara të sektorit real dhe monetar sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka patur një rritje ekonomike pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit”, nënvizoi guvernatori Fullani.
Ai iu referua të dhënave të INSTAT duke thënë se prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 2 përqind, gjatë tremujorit të parë të vitit.
“Banka e Shqipërisë, vlerëson si një hap në drejtimin e duhur rishikimin në ulje të defiçitit buxhetor dhe të planit të shpenzimeve publike, pasi ai garanton qëndrueshmërinë fiskale, ulja e primet e rrezikut të lidhura me të,
forcon besimin e publikut, si dhe krijon hapësirat për një akses më të madh të sektorit privat në tregjet financiare”, nënvizoi guvernatori.
Ishin pikërisht këto elementë thelbësore që mundësuan lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, duke shmangur një sterilizim të mundshëm të aksioneve në lidhje me normën e interesit.
Fullani evidentoi se investimet private vlerësohen në rënie gjatë pjesës së parë të vitit.
Sipas tij, kjo ecuri është diktuar nga niveli i ulët i shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi dhe kushtet e shtrënguara të aplikuara nga bankat, duke dekurajuar kërkesën për kredi.
Fullani bëri me dije se “Banka e Shqipërisë gjykon se kushtet monetare si dhe raportet e kërkesës dhe të ofertës në tregjet kryesore të ekonomisë, janë të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhën afatmesme”.
Ai theksoi se politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë të mbetet një politikë e kujdesshme, duke synuar gjithnjë përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
mit/NOA