Tiranë, 28 korrik, NOA - “Para dy ditësh, në vend që t’u fliste hapur shqiptarëve për situatën e vështirë të ekonomisë së vendit, Sali Berisha zgjodhi përsëri rrugën e gënjeshtrës. Gënjeu edhe para 20 minutash në shfaqjen komike të së mërkurës”, tha në një deklaratë për shtyp deputeti socialist, Ilir Beqja, menjëherë pas mbledhjes së qeverisë.
Sipas tij, gjatë saj Berisha deklaroi se borxhi publik në vitin 2005 ka qenë 70% kur vetë informacioni zyrtar i Ministrisë së Financave thotë se ka qenë 57%.
Ndërsa hodhi poshtë shifrën e deklaruar nga Berisha se fondi i pensioneve është 109 miliardë lekë, kur sipas tij ai është 75 miliardë lekë.
“Sot duam të përsërisim se është kriminale t’u japësh pensionistëve shtesë më pak se inflacioni dhe t’u japësh personave me aftësi të kufizuar 2 mijë lekë më pak se detyrimi ligjor”, shtoi Beqja.
Duke denoncuar faktin se Sali Berisha nuk tregon se në 6 muajt e parë të ardhurat tatimore janë rritur më pak se inflacioni, dëshmia më kuptimplotë se vendi është në krizë.
“Frika nga këto të vërteta i detyruan Berishën, Topallin dhe Boden të mbyllin në mënyrë të turpshme votimin e buxhetit ditën e hënë. Frika nga këto të vërteta e detyruan Berishën të flasë përçart edhe para 20 minutash”, pohoi deputeti Beqja.
n.e/NOA