Izrael - Bisedimet E Drejtpërdrejta - Të Pamundura Kushtet E Vendosura Nga Palestinezët
JERUSALEM, 28 korrik /ATSH-AFP/ - Kushtet e vendosura nga presidenti i Autoritetit palestinez Mahmud Abas për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Izraelin janë "të pamundura", u shpreh sot zëvendëskryeministri Silvan Shalom.
"Palestinezët vendosin tre kushte të pamundura: që bisedimet të rifillojnë në pikën ku janë ndërprerë në fund të vitit 2008 atëherë kur Ehud Olmert ishte kryeministër, që ato të bazohen në një tërheqje të plotë të izraelitëve nga Cisjordania dhe Jerusalemi Lindor dhe që ndalimi i ndërtimit të kolonive të jetë i përhershëm", shtoi Shalom në radion publike.
Presidenti Abas u shpreh të hënën se ishte i gatshëm për të filluar bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin, që në momentin që do të plotësohen kushtet e vendosura.
Shalom i bëri këto deklarata në prag të një mbledhjeje të ministrave të Jashtëm të Lidhjes Arabe në Kajro, ku pritet të diskutohet për një rifillim të mundshëm të bisedimeve të drejtpërdrejta mes palestinezëve dhe izraelitëve.
Më 18 korrik, shefi i Lidhjes Arabe Amr Musa ka bërë të ditur se nevojiten disa garanci me shkrim përpara se të kalohet në bisedime të drejtpërdrejta.
"Nuk mund të kalojmë automatikisht nga bisedime jo të drejtpërdrejta në ato direkte pa garanci me shkrim", ka deklaruar Musa, organizata e të cilit mbështet bisedimet jo të drejtpërdrejta të filluara në muajin maj nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara.
Bisedimet e drejtpëdrejta janë ndërprerë në fund të vitit 2008 me fillimin e ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.
/I.Pu.