English

Kinë - Përmbytjet - Diga E Tre Grykave Pranë Kapacitetit Maksimal

PEKIN, 28 korrik /ATSH-ANSA/ - Shirat e rrëmbyeshëm që vazhdojnë të bien në lumin Jance Kiang, në Kinën qendrore, e kanë rritur së tepërmi nivelin e ujit në basenin e digës së Tre Grykave, më e madhja në botë. Sipas teknikëve të digës niveli i ujit aktualisht ka arritur në 158 metra dhe baseni ka një kapacitet maksimal prej 175 metrash. Autoritetet i kanë lajmëruar banorët e lokaliteteve pranë luginës së digës të jenë të gatshëm për një evakuim të mundshëm. Megjithatë fluksi i ujit në basen aktualisht është më i vogël se sa piku i 70 mijë metrave kub në sekondë që u regjistrua javën e kaluar, shkruan sot agjencia kineze e lajmeve Hsinhua. Vala më e dhunshme e motit të keq e këtyre dhjetë viteve të fundit që ka goditur Kinën ka shkaktuar vdekjen e të paktën 823 personave, ndërsa 437 rezultojnë të zhdukur. Dje 21 persona humbën jetën për shkak të një rrëshqitje dheu në provincën Sichuan, në juglindje të vendit, ndërsa 37 persona të tjerë humbën jetën nga shembja e një ure në provincën e Henanit, Kina qendrore. Dëmet ekonomike janë llogaritur rreth 22 miliardë juan (2.4 miliardë euro). /e.v/
KOMENTE