Komisioni I Ligjeve I Kërkon Presidentit Dekretimin E Kreut Të Kushtetueses
TIRANË, 28 Korrik/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve i kërkoi sot Presidentit të Republikës që të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kërkoi thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij.
"Në emër të komisionit të Ligjeve dhe të Kushtetutës i kërkoj Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, insititucionit që është garant i Kushtetutës dhe njëkohesisht kërkoj thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij", thuhet në deklaratën për shtyp të sekretarit të Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, deputet i Partisë Demokratike.
Duke e konsideruar "një ngjarje shumë të rëndë", deputeti Halimi tha se "Kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën e Republikës duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor".
"Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar, si dhe nje fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Në frymën e tij ligji dhe Kushtetuta duhet të zbatohen pa kushte, si nga qytetarët dhe nga Presidenti i vendit", tha sekretari i Komisionit të Ligjeve.
Ai j'u referua nenit 125 të Kushtetutes, sipas së cilës, "kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti me pëlqim të Kuvendit, vetëm për një periudhë 3-vjeçare".
"Paraardhesi i z.Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar me tej detyrën e tij si gjyqtar. Kushtetuta dhe precedenti kushtetues akuzojnë rëndë Presidentin e Republikës për një shkelje të paprecedentë të tyre", tha Halimi.
"Është fyese për shqiptarët të përdoret si justifikim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është fund e krye kompetencë e Presidentit të Republikës", përfundoi deklaratën e tij pr mediat sekretari i komisionit të Ligjeve.
Pak ditë më parë, në 24 korrik, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në përgjigje të interesimit të gazetarëve deklaroi se në shtator, me fillimin e sesionit të ri parlamentar, do të përcjellë në Kuvend dekretin e emërimit të kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Me këtë rast, Presidenti Topi sqaroi se "asgjë nuk e pengon kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë detyrimet e tij"./a.s//n.m/