Kosove: Hyseni Riperserit Kerkesen Per Njohjen E Pavaresise Se Kosoves
PRISHTINË, 28 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni ka ripërsëritur kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës në takimet e shumta në Nju Jork në OKB me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe në letrat drejtuar 121 shteteve pas shpalljes së Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në një njoftim të ministrisë së Jashtme kosovare bëhet e ditur se ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka zhvilluar një numër të madh takimesh me përfaqësues të akredituar pranë OKB nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
"Ministri është siguruar nga të gjithë përfaqësuesit që ka takuar se, kërkesa për njohje do t'u përcillet autoriteteve më të larta të vendeve të tyre dhe do të shqyrtohet prej tyre", theksohet në njoftim.
Në takime, ministri Hyseni u ka shpjeguar bashkëbiseduesve përmbajtjen, kuptimin dhe rëndësinë e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organit kryesor gjyqësor të OKB.
"Përveç takimeve intensive, janë shpërndarë edhe 121 letra - kërkesa të ripërsëritura për njohje të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës drejtuar Ministrave të Punëve të Jashtme të këtyre shteteve", theksohet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme kosovare. /a.ke/