English

Kosovë: Ish-Komandanti I Uçk-Së Duhet Të Paraqitet Në Prokurorinë Speciale

PRISHTINË, 28 Korrik /ATSH-B.Jashari/ - Pas bastisjes së shtëpisë nga policia e EULEX, ish-komandanti i UÇK-së, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, mori një ftesë për t'u paraqitur në prokurori. "Pas përfundimit të bastisjes të shtëpisë së ish komandantit të UÇK-së, është dorëzuar ftesa për t'u paraqitur në Prokurorinë Speciale," thuhet në njoftimin e dytë të ditës së sotme të EULEX-it lidhur me rastin, të dhënë pak më parë. Sipas njoftimit, ish-komandanti duhet të paraqitet në prokurori një javë nga data e dorëzimit të ftesës. Në njoftim tjetër më herët, EULEX njoftoi se, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK-së), policia e EULEX-it bastisi shtëpinë e një ish komandanti të UÇK-së. Siapas këtij njoftimit, "kjo bastisje është e lidhur me hetimet në rastin Bllaca" dhe "është autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë". "Rasti Bllaca" ka të bëjë me të vetëdeklaruarin pjesëmarrës dhe dëshmitar në krimet e pasluftës në Kosovë, Nazim Bllaca, i arresuar vitin e kaluar, i cili në deklarata ka përmenduar e akuzuar dhe persona të tjerë. EULEX as në njoftimin e parë e as në të dytin nuk jep emrin e ish-komandantit të UÇK-së. Sipas medias në Prishtinë, Policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e ish-komandanti të UÇK-së, Azem Syla në fshatin Kishnarkë të Drenasit. /ch/
KOMENTE