English

Meta-Ivanov: Siguria dhe stabiliteti në rajon janë në konsolidim

Shkup, 28 korrik, NOA –Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit sot në Shkup nga presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në një takim të veçantë në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin fqinj.

Burime pranë takimit bëjnë me dijeni se gjatë tij, u diskutua mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh, të zhvillimeve në rajon dhe të proceseve integruese në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kështu, Meta dhe Ivanov vlerësuan nivelin e marrëdhënieve dhe shkallën në rritje të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Në këtë kuadër, u vlerësua bashkëpunimi në nivelin më të lartë politik, për të cilin kanë kontribuar edhe takimet e rregullta të Presidentëve të dy vendeve. Të dy palët shprehën gatishmërinë që ky bashkëpunim të forcohet edhe më tej në të ardhmen.

Ndërkaq, gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet në rajon, ku të dy bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se siguria dhe stabiliteti në rajon janë në konsolidim, duke theksuar se një rajon në paqe, në mirëkuptim dhe bashkëpunim në rritje, ofron garanci dhe perspektiva të përbashkëta për integrim në BE dhe NATO.

Në këtë kuadër, Meta vlerësoi vendimet e Maqedonisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për zgjidhjen e çështjes së kufirit me të, drejtësia e të cilave u konfirmua edhe nga opinioni i GJND-së.

Në përfundim, Meta dhe Ivanov shprehën vullnetin e përbashkët për të kontribuar në rritjen e investimeve infrastrukturore dhe për të lehtësuar shkëmbimet reciproke në të gjitha fushat me interes.

n.e/NOA

KOMENTE