Meta-Ivanov: Siguria Dhe Stabiliteti Në Rajon Janë Në Konsolidim
TIRANË, 28 Korrik/ATSH, A.Gegvataj /- Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta u takua sot në Shkup me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov me të cilin ndau mendimin se siguria dhe stabiliteti në rajon janë në konsolidim.
Në kuadër të vizitës zyrtare që nisi sot në Shkup, z. Meta është pritur nga autoritetet më të larta të vendit fqinj; bëri të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Maqedonia është një nga vendet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, një vendim që u evidentua nga ministri Meta, i cili me këtë rast vlerësoi dhe vendimin e vendit fqinj për zgjidhjen e çështjes së kufirit me Kosovën, drejtësia e të cilave u konfirmua dhe nga opinioni i GJND-së.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se një rajon në paqe, mirëkuptim dhe bashkëpunim në rritje, ofron garanci dhe perspektiva të përbashkëta për integrim në BE dhe NATO.
Diskutimet mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe Presidentit të Maqedonisë u përqëndruan edhe mbi çështje të bashkëpunimit dypalësh.
Ata vlerësuan nivelin e marrëdhënieve dhe shkallën në rritje të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat si dhe shprehën gatishmërinë që ky bashkëpunim të forcohet më tej, në të ardhmen.
Në këtë kuadër u vlerësua bashkëpunimi në nivelin më të lartë politik, për të cilin kanë kontribuar edhe takimet e rregullta të Presidentëve të dy vendeve. /k.sh/