English

Meta në Shkup: Shqipëria, iniciativa të përbashkëta rajonale me Maqedoninë

Shkup, 28 korrik, NOA – “Kemi rënë dakord të forcojmë bashkëpunimin jo vetëm dypalësh, por edhe atë në kuadrin rajonal. Gjithashtu do mbështesim kandidaturat e njëri-tjetrit në organizatat ndërkombëtare, do ndërmarrim iniciativa të reja rajonale, ku një projekt shumë i rëndësishëm për të dy vendet tona dhe për gjithë rajonin, është konkretizimi i Korridorit 8”.

Këto janë fjalët që ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, tha sot në Shkup gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij maqedonas, Antonio Miloshoski.

Sipas tij, marrëdhëniet mes Shqipërisë e Maqedonisë janë shumë të mira dhe ekziston vullneti i përbashkët për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Të dyja këto vende u vlerësua nga dy kryediplomatët se kanë një rol të veçantë për sigurimin e një bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv në interes të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.

Ndërkaq, Meta evidentoi rëndësinë e veçantë të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia dhe vlerësoi njëkohësisht faktin që opinioni i GJND-së e rikonfirmoi drejtësinë e këtij vendimi, duke shtuar se ai i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon.

“Jemi shumë të lumtur që qytetarët e Maqedonisë lëvizin të lirë brenda zonës Shengen, dhe besoj që për pak muaj të gjithë qytetarët e Shqipërisë do të kenë të njëjtën mundësi”, tha më tej Meta.

Duke shtuar se “në këtë drejtim, aspiratat e përbashkëta euro-atlantike dhe evropiane janë ato që orientojnë në mënyrë të shkëlqyer marrëdhëniet bilaterale ndërmjet vendeve tona por edhe politikën tonë rajonale”.

“Në këtë drejtim do të vlerësoja shumë hapin e guximshëm që Maqedonia bëri duke njohur shtetin e ri të Kosovës dhe duke zgjidhur çështjen e kufirit me të, një hap që nuk ka qenë i lehtë në atë kohë por që sot pas opinionit të GJND-së, pas kërkesës së bërë nga ana e Serbisë, është e qartë se njohja e shtetit të ri të Kosovës ka qenë një veprim jo vetëm i mençur politik, por edhe një bazë solide legjitimiteti. Ndaj jam i bindur se ky vendim i dhënë nga GJND-ja do të ndihmojë dhe duhet të ndihmojë në mënyrë të veçantë Serbinë për të parë drejt së ardhmes dhe për të punuar drejt kësaj të ardhmeje evropiane.

Unë besoj se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë do të vazhdojnë të forcohen dhe konkretizohen më tej sepse ky është jo vetëm vullneti i dy qeverive tona, por edhe i dy popujve tanë”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

Ndërsa në lidhje me situatën aktuale në Maqedoni, ai u shpreh se “pala shqiptare beson që marrëveshja e Ohrit është kuadri më i mirë për të forcuar më tej bashkëjetesën e komuniteteve etnike këtu, për të realizuar më tej të drejtat e komunitetit shqiptar por natyrisht edhe për të afruar edhe më tepër Maqedoninë me Bashkimin Evropian”.

n.e/NOA

KOMENTE