English

Meta- Veljanovski: Parlamentet Kontribut Në Nxitjen E Proceseve Integruese

TIRANË, 28 Korrik/ATSH, A.Gegvataj /- Parlamentet mund dhe duhet të japin kontribut të rëndësishëm në nxitjen dhe përparimin e proceseve integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë, pasi këto institucione miratojnë legjislacionin e nevojshëm për integrimin euro-atlantik. Ishte ky vlerësimi që ndanë zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, në takimin që zhvilluan sot në Shkup. Në vijim të vizitës zyrtare që nisi sot në Maqedoni, Meta u prit në një takim nga kryeparlamentari Veljanovski, gjatë të cilit u vlerësua bashkëpunimi mes parlamenteve të dy vendeve. Në takim u theksua dhe nevoja për rritjen dhe zgjerimin e kontakteve dhe institucionalizimin e takimeve të përvitshme të kryetarëve të parlamenteve të të dy vendeve. Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi veprimtarinë e parlamentit maqedonas për miratimin e ligjeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit. Ai shprehu besimin për vazhdimësinë e angazhimit në miratimin e të gjithë kuadrit ligjor që buron nga kjo marrëveshje, për të siguruar zbatimin e plotë të saj. Meta përshëndeti dhe miratimin nga parlamenti i Maqedonisë të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Kosovën dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend fqinj, duke i cilësuar këto si veprime në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në rajon. /k.sh/
KOMENTE