English

Pakistan - Rrëzohet Një Avion Me 152 Persona Në Bord, Disa Të Vdekur

ISLAMABAD, 28 korrik /ATSH-AFP/ - Një avion linje i kompanisë private pakistaneze "Air Blue" me 152 persona në bord u rrëzua sot në mëngjes në kodrat pranë kryeqytetit Islamabad, njoftuan AFP-në disa zyrtarë të policisë dhe aviacionit civil. Katër-pesë trupa janë gjetur në vendin ku u rrëzua avioni, bëri të ditur për AFP-në një zyrtar qeveritar. Një re e madhe tymi ngrihej në kodrat e gjelbëra Margallas përqark Islamabadit. Televizionet lokale tregojnë automjete të shumta të shërbimeve të ndihmës që nxitojnë drejt vendngjarjes. "Sipas informacioneve tona, avioni u rrëzua në kodrat Margalla. Ka tym, por nuk kemi arritur të shkojmë në vendngjarje. Është një vend i rrethuar me kodra dhe pa rrugë", deklaroi zyrtar i policisë Sayed Subhan. "Bëhet fjalë për një avion të kompanisë private 'Air Blue'", shtoi ai. Njëqind e pesëdhjetë e dy persona ndodheshin në bordin e avionit që vinte nga Karaçi dhe që po përgatitej të ulej në Islamabad, bëri të ditur një zëdhënës i aviacionit civil. "Disa trupa ndodhen të shtrirë në zonë. Janë katër ose pesë persona", deklaroi Imtiaz Inayat, një zyrtar i lartë i bashkisë së Islamabadit, i cituar nga televizioni lokal Geo. "Ka rënë zjarr në një zonë të gjerë. Disa ekipe shpëtimi dhe helikopterë janë dërguar në vend", shtoi ai. Moti ishte me re dhe shi sot në mëngjes në kryeqytetin pakistanez dhe në kodrat Margalla. /I.Pu.
KOMENTE