Nju Jork, 28 korrik, NOA – Pasi ka përfunduar pozitivisht betejën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, delegacioni kosovar iu ëhstë drejtuar dyerve të Nju-Jorkut për të vazhduar lobimin për njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Konkretisht, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, është takuar me shumë përfaqësues të vendeve në Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, duke kërkuar nga ata të mos ngurrojnë ta bëjnë një gjë të tillë pas vendimit të GJND-së.
Në këto takime në Nju Jork, siç njofton ministria e Jashtme e Kosovës, ka zhvilluar një numër të madh takimesh me përfaqësues të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ndërsa parashikohet që ai të ketë edhe disa dhjetëra takime të tjera gjatë ditëve në vijim në kuadër të një axhende intensive diplomatike të ndërmarrë nga shteti kosovar, me synimin e rritjes së numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës.
Në takimet që ka zhvilluar, kryediplomati kosovar ka thënë se për shtetet të cilat e kanë shtyrë aktin e njohjes në pritje të vendimit të GJND-së, tani është koha që të lëvizin në drejtim të njohjes formale, dhe ka ripërsëritur edhe njëherë thirrjen drejtuar autoriteteve kompetente të shteteve përkatëse që të njohin shtetin e Kosovës.
Ndërkaq, përveç takimeve intensive dhe si pjesë e veprimeve të pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës, ditëve të kaluara janë shpërndarë edhe 121 letra-kërkesa të ripërsëritura për njohje të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës drejtuar ministrave të Punëve të Jashtme të këtyre shteteve.
NOA-INA