English

PD, Halimi: Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën

Tiranë, 28 korrik, NOA – Partia Demokratike ka dalë hapur kundër veprimeve të kreut të shtetit, duke e akuzuar Presidentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën e Republikës, duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtutese, i cili sipas selisë blu, duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor 2010.

“Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar”, deklaroi sot deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi.

Sipas tij, mosveprimi i presidentit të vendit, përbën një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor.

Deputeti Halimi, në emër të komisionit parlamentar të ligjeve, i kërkoi Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, institucioni që është garant i Kushtetutës.

Deputeti i PD-së, kërkoi ndërkaq edhe thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë miratimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi atë ta emërojë kreu i shtetit.

Sipas deputetit Eduart Halimi është fyese për shqiptarët që të përdoret si justifikim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese, ndërkohë që edhe dekretimi i tyre është kompetencë e Presidentit të Republikës.

Deputeti i PD-së, në këtë akuzë ndaj Presidentit iu referua nenit 125 të Kushtetutës, në të cilën thuhet shprehimisht se “kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Presidenti me pëlqim të Kuvendit vetëm për një periudhë trevjeçare.

“Paraardhësi i z.Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra, ditën që i mbaroi mandati i kryetarit dhe ka vazhduar më tej detyrën e tij si gjyqtar”, përfundoi deputeti Eduart Halimi.

mit/NOA
KOMENTE