Përmbledhje - Pakistan - Rrëzohet Një Avion Me 150 Persona Në Bord Pranë Islamabadit
ISLAMABAD, 28 korrik /ATSH-AFP/ - Një avion pakistanez linje me 150 persona në bord u rrëzua sot nga moti i keq në kodrat afër kryeqytetit Islamabad, duke shkaktuar disa të vdekur, por edhe të paktën pesë të shpëtuar të cilët u dërguan në spital.
Të paktën pesë persona gjetën vdekjen dhe pesë të tjerë janë gjetur gjallë dhe janë dërguar me helikopter në një spital të Islamabadit", deklaroi ministri i Brendshëm, Rehman Malik, për televizionin lokal Express TV.
Avioni i tipit Airbus A-321 i kompanisë private "Airblue", i cili bënte linjën Karaçi-Islamabad, transportonte 144 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi, i bëri të ditur AFP-së një zëdhënës i kompanisë, Raheel Ahmed.
"Në pamje të parë, shkaku i aksidentit është moti i keq. Por, u takon hetuesve ta përcaktojnë këtë", shtoi ai.
Qielli ishte me re sot në kryeqytetin pakistanez dhe binte shi në momentin e aksidentit.
"Tani po merremi me operacionet e ndihmës dhe të shoqërimit të të afërmve të pasagjerëve", shtoi Raheel Ahmed.
Ministri i Brendshëm e cilësoi këtë aksident si "tragjedi të madhe". "Po përpiqemi të marrim informacione për pasagjerët", deklaroi ai në Express TV.
"Ekipet e ndihmës arritën në vendin e aksidentit, ato janë të pajisura me mjetet e nevojshme. Ato po kontrollojnë të gjithë zonën, u vijnë në ndihmë të plagosurve, të mbijetuarve dhe po merren masa për transportimin e tyre në spital", shtoi ai.
Sipas zëdhënësit të aviacionit civil, Pervez George, avioni 202 i kompanisë "Airblue" u nis nga Karaçi, kryeqyteti financiar i Pakistanit, në orën 07:45 (02:45 GMT) dhe po përgatitej të ulej në Islamabad në çastin kur u rrëzua.
"Ai po përgatitej të ulej në kodrat Margalla", shtoi ai.
Një re e dendur tymi ngrihej mbi këto kodra që rrethojnë Islamabadin. Televizionet lokale tregonin automjete të shumta të shërbimeve të ndihmës të nisura për në vendin e ngjarjes dhe disa helikopterë që fluturonin në zonë.
Policia u informua për një shpërthim të fortë dhe për një zjarr që po përhapej në kodrat rreth Islamabadit, përpara se të merrte konfirmimin për një aksident me avion, shpjegoi zyrtari i policisë Sayed Subhan.
"Zona e aksidentit është me një terren të vështirë. Kemi dërguar disa ekipe. Atje është një pyll", deklaroi ai.
Aksidenti i fundit me avion në Pakistan është ai i një avioni Fokker F27 të kompanisë kombëtare Pakistan International Airlines (PIA) që u rrëzua më 10 korrik të vitit 2006, duke shkaktuar 45 të vdekur.
Aksidenti më i përgjakshëm i një avioni linje ka ndodhur në shtator të vitit 1992: një Airbus 300 i kompanisë PIA rrëzohet në afërsi të kryeqytetit nepalez Katmandu, duke shkaktuar vdekjen e 167 personave.
/I.Pu.