Tiranë, 28 korrik, NOA – Pas akuzave të sotme të Partisë Demokratike se kreu i shtetit, Bamir Topi ka shkelur rëndë kushtetutën e vendit pasi nuk ka dekretuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, reagoi edhe Presidenca, duke deklaruar se Presidenti ka ndjekur procedurë transparente si për kryetarin edhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetutese.
Këshilltari Ligjor i Presidentit, Spiro Peçi, tha se pranë Presidentit është ngritur një grup ekspertësh, të cilët po përcaktojnë kriteret për seleksionimin e kandidaturave.
Sipas këshilltarit të Presidentit, mos emërimi i kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese nuk pengon procesin e përzgjedhjes së anëtarëve.
Në këtë kontekst, këshilltari Peçi në emër të Presidentit, theksoi se akuzat e PD-së, synojnë të heqin vëmendjen nga politika.
Peçi tha ndër të tjera se katër nga nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese u ka mbaruar afati, duke evidentuar se përzgjedhja e tyre bëhet në bazë të kritereve me të cilat po punon grupi i ekspertëve.
“Presidenti i është përmbajtur përzgjedhjes së kandidaturave mbi bazën e kritereve ligjore. Presidenti ka bërë përpjekje që në këtë proces të përfshihet edhe politika”, theksoi këshilltari i Presidentit.
Ai tha se Presidenti ka dalë me një propozim konkret për PS-në dhe PD-në me synimin që të mos krijohej ngërç politik.
Këshilltari Juridik i Presidentit, Spiro Peçi tha se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave është ligjor, transparent dhe publik, por Presidenti jo gjithnjë ka gjetur konsensus me faktorë të tjerë politikë.
Sipas këshilltarit të Presidentit procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të përfundojë në ditët e para të shtatorit, duke i kthyer kështu edhe përgjigjen PD-së, se emërimi i kreut të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet pikërisht në shtator, në mbyllje të procesit.
mit/NOA