English

Qeset Plastike, Të Dëmshme Për Mjedisin Dhe Shëndetin E Njerëzve

TIRANË, 28 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Sa herë shkojmë për të blerë ushqime, ose produkte të tjera joushqimore, ndeshemi me qeset plastike, ndonjëherë të panevojshme. E pasi i përdorim, i hedhim si mbetje urbane dhe shumë rrallë i ripërdorim për herë të dytë apo të tretë. Qeset plastike të hedhura si mbetje në të shumtën e rasteve digjen dhe ky proces është akoma edhe më shqetësues për shëndetin publik. "Në djegien e tyre kemi çlirimin e shumë gazeve toksike si, metani, etani, aldehidet, ketonet e shumë përbërës të tjerë, që janë të dëmshëm për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve", pohojnë specialistët e shëndetit publik. Ndaj, reduktimi i përdorimit të qeseve plastike, apo zëvendësimi i tyre me materiale "miqësore" me mjedisin, është i domosdoshëm, për shkak të dëmeve mjedisore që sjellin. Kjo, sipas specialistëve të mjedisit, do të arrihet jo vetëm me hartimin dhe më tej zbatimin e kuadrit ligjor të përshtatshëm, por rëndësi e madhe në këtë drejtim i duhet kushtuar ngritjes së kulturës mjedisore në lidhje me këtë çështje mjaft delikate. Pavarësisht se nuk dihet me saktësi sasia e mbetjeve që përbëjnë qeset plastike në rang vendi, duhen marrë në konsideratë problematikat që kanë ato në mjedis dhe në shëndetin publik. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave prezantoi dje projekt-vendimin për ambalazhet dhe mbetjet nga to dhe miratimi dhe zbatimi i ketij akti pritet të ketë impakt pozitiv në këtë drejtim, ç'ka duhet shoqëruar me më shumë edukim dhe vëmendje qytetare. /a.ke/
KOMENTE