English

Serbia dorëzon në OKB rezolutën për negociata të reja mbi statusin e Kosovës

Nju Jork, 28 korrik, NOA - Serbia ka dorëzuar sot në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rezolutën në të cilën paraqet kërkesën për negociata të reja mbi statusin e Kosovës.

Ajo është dorëzuar nga vetë ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, në duart e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

I ndodhur në Nju Jork, Jeremiç po bën lobim tashmë pranë Kombeve të Bashkuara për të fituar terren brenda saj në lidhje me debatin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës prej saj.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Jeremiç thuhet se do të zhvillojë një numër të madh takimesh me ambasadorët e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Të njëjtën gjë ndërkaq, duket se po bën për njohjen e pavarësisë edhe delegacioni kosovar i kryesuar nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili gjatë takimeve të ndyrshme po kërkon t’i bindë shtetet e tjera për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Rezoluta e Serbisë “u bën thirrje të gjitha palëve të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të gjitha çështjet e pazgjidhura me dialog paqësor, në interes të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon”.

Sikundër, edhe “vendos të përfshijë në axhendën e përkohshme të seancës së 66-të, pikën me temën: "Veprimet e mëtejshme pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

n.e/NOA

KOMENTE