Sport- Fshf Liçenson 42 Trajnerë Për Sektorin Amator Dhe Për Të Rinjtë
TIRANË, 28 Korrik/ ATSH - Gjergji Mima/ - Ka përfunduar kursi për trajnerë të "Nivelit C" në Tiranë. Këto ditë në "Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare" në Kamëz, 42 trajnerë kanë marrë pjesë në kursin e organizuar nga sektori teknik pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.
Këta trajnerë janë liçencuar me liçencë të "Nivelit C", në sektorin e zhvillimit të futbollit të fëmijëve dhe të rinjve amatore.
Sipas burimeve nga FSHF, "pjesëmarrësit në këtë kurs, ishin nga mosha 18- 60 vjeç, duke përfshirë edhe trajnere femra (në këtë kurs kanë qenë dy trajnere). Gjatë kursit, trajnerët kryhen rreth 70 orë mësimi (përfshi edhe provimet)".
Me organizimin e këtij kursi, sektori teknik ka mbushur një boshllëk që ekzistonte prej kohësh. Tashmë në sektorin amator, që është një sektor delikat, do të drejtojnë trajnerë të liçensuar. /a.ke/