English

Sport-Speciale/ E Drejta Televizive, Burimi Më I Madh I Të Ardhurave Për Klubet E Futbollit

TIRANË, 28 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Pjesa më e madhe e drejtuesve të klubeve të futbollit në Shqipëri nuk e përmendin në asnjë moment fjalën organizim, për të siguruar të ardhura të mjaftueshme nga e drejta televizive. Kjo tregon qartë se akoma nuk është e njohur në opinionin tonë të futbollit se cilësia e kampionatit dhe organizimi i mirë, i sjellë klubit të ardhura të mjaftueshme për të mbijetuar. Suksesi i padiskutueshëm që synohet me çdo kusht nga klubet tona sjell probleme dhe skandale në çdo stadium të vendit, ndaj përballë modeleve të tjera evropiane dhe botërore, kjo nuk është kurrsesi forma e duhur për të vazhduar më tej. Klubet shqiptare thjesht kanë mbijetuar gjatë 20 viteve të fundit nga sponsorizimet e bizneseve të ndryshme. Kështu, klubet e futbollit nuk kanë hedhur akoma hapin e parë, drejt funksionimit normal. Vetëm gjatë sezonit të fundit e drejta televizive e kampionatit tonë është shitur në formë të organizuar nga FSHF tek kompania gjermane "Ufa Sports", por ka hasur diskutime të shumta aq sa dy ekipet kryesore, Dinamo dhe Tirana, nuk i janë bashkuar kësaj nisme me grupin tjetër. Deri para një viti ato nuk janë grupuar asnjëherë bashkë, për të vënë disa rregulla që në fund të fundit do t'u sigurojnë thjesht më shumë të ardhura. Privatizimi akoma nuk është një realitet i futbollit dhe pritet të ndodhë shumë shpejt, ndaj konsiderohet se ky moment do të jetë "A"-ja, nga ku pritet që të rritet cilësia dhe profesionalizmi i mëtejshem i futbollit shqiptar. Po të shohim modelet e sukseshme evropiane dallohet qartë se e drejta televizive është një nga burimet kryesore të fitimit të klubeve. E drejta televizive për ndeshjet e Premier Ligës ka shënuar një sukses të ri, teksa ka kapur shuma të tjera marramëndese. Pothuajse janë dyfishuar të ardhurat që do të përfitojnë klubet e futbollit anglez, nga ato që janë siguruar nga vende të ndryshme të botës. Konkurrenca e lartë për të pasqyruar ndeshjet e kampionatit anglez ka shtuar në arkën e kompanisë qe administron të drejtën televizive të Premier Ligës, gati edhe 600 milione stërlina të tjera. Shitjet e të drejtave televizive të Premier Ligës për tre vitet e tjera, deri në 2013-ën, në vende të ndryshme të botës, do të kapin shifrën e 1.2 miliardë stërlinave. Krahasuar me të ardhurat që janë siguruar në tre edicionet e fundit, ato kanë pasur një rritje të dukshme në Angli. Federata Angleze e Futbollit njofton se ka mbetur ende konfirmimi i dy vendeve të tjera për rinovimin e kontratës. Bëhet fjalë për vendin tonë, Shqipërinë dhe Rusinë. Per tre vitet e fundit kompania "Super-Sport" ka pasur të drejten ekskluzive për të pasqyruar ndeshjet e Premier Ligës dhe e njëjta platformë është rreshtuar me ato të pjesës tjetër të botës, për të rinovuar kontratën, me qellim pasqyrimin e një prej kampionateve më prestigjioze të botës. Kompania që lëshon të drejtën televizive për Premier Ligën njofton se pret shumë shpejt që të rinovojë kontratat e reja me vendin tonë dhe Rusinë, ndërkohe që jep lajmin se deri tani te ardhurat e siguruara nga vendet e tjera të botes do t'i sjellin mbi 1.5 miliarde euro futbollit anglez. Ky është lajmi më i mire për klubet e Premier Ligës, të cilat gjatë vitit të fundit i ka përfshire paniku i krizës ekonomike. Skuadra e Portsmuthit, që ra një kategori më poshtë, pas problemeve financiare që nuk arriti dot t'i mbulojë, falimentoi pak kohë më pare, por megjithatë Premier Liga mbetet kampionati që siguron më shumë të ardhura në botë. Vendet aziatike janë ato që kanë afruar më shumë para në kontratën e re trevjeçare. Në Hong Kong ka pasur një interes të veçante, duke qenë se Premier Liga ndiqet me shumë interes nga ky vend, i lidhur ngushtë me Anglinë, edhe pse vitet e fundit ka kaluar nën administrimin e Kinës. Por edhe falë ekonomisë në ngritje të kesaj të fundit dhe popullsisë së lartë, ka pasur gjithashtu një rritje të shikueshmërise së Premier Ligës, ashtu si edhe në Indi. Modele ka plot, klubet shqiptare duhet thjesht të imitojnë. /a.ke/
KOMENTE