English

Thaçi: Pas GJND-së, bllokimi i Kosovës nga 5 vendet e BE-së i padrejtë

Prishtinë, 28 korrik, NOA – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën londineze “Times” deklaroi sot se “Pesë vendet evropiane, që refuzojnë ta njohin Kosovën, po veprojnë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe në mënyrë të padrejtë po bllokojnë shtetin më të ri në rrugën e tij kah prosperitetit”.

Pas mbledhjes më të fundit të ministrave të Jashtëm të BE-së, e mbajtur në Bruksel, rishtas pesë vendet e BE-së, që nuk pranojnë ende të njohin pavarësinë e Kosovës, janë Spanja, Qipro, Rumania, Greqia dhe Sllovakia.

Kryeministri Thaçi, kërkoi nga të pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që të mbështesin pa shtyrje në kohë, pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që Kosova e Serbia të mund t’i bashkohen BE-së.

Kryeministri i Kosovës nënvizoi më tej në artikullin e “Times” se “Ne presim unitet evropian për Kosovën”, duke iu referuar edhe mendimit të GJND-së, që theksoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Spanja, Greqia dhe vendet e tjera na kanë deklaruar se ato po pritnin opinionin e GJND-së”, theksoi kryeministri i Kosovës, duke nënvizuar se “tani është ekstremisht e qartë dhe mosnjohja e Kosovës është jokorrekte dhe në mënyrë të padrejtë vonon perspektivën tonë evropiane”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke përfunduar lidhur me njohjet e kosovës para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator, ka thënë për gazetën “Times” se “ne nuk mund të presim që Serbia ta njohë Kosovën, para Spanjës dhe Greqisë”.

mit/NOA
KOMENTE