English

Tiranë- Trafiku I Narkotikëve, Në Pranga Katër Shtetas

TIRANË, 28 Korrik /ATSH/ - Policia e Tiranës ka arrestuar sot në flagrancë, në afërsi të stadiumit "Qemal Stafa", katër shtetas si shpërndarës të lëndëve narkotike, ndërsa sekuestroi 73 gramë lëndë narkotike, e dyshuar heroinë, me destinacion shitje në disa zona të kryeqytetit. Në kuadër të operacionit të koduar "Takimi i fundit", pas një hetimi dy mujor, në prangat e policisë së kryeqytetit përfunduan Ardian Gjyzeli, 39 vjeç, Toni Shalari, 34 vjeç, Aurel Çekiçi, 30 vjeç, si dhe Ergys Ibershimi, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi edhe dy automjete, dy armë gjahu shotgan dhe superpost, disa dokumente dhe pasaporta, që sipas burimeve mendohet të jenë të fallsifikuara. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë për ATSH-në se po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, apo aseteve të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, ndërsa materialet hetimore në ngarkim të të arrestuarëve i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale "prodhim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike"./m.sh/ch/
KOMENTE