Vlorë: Janë Përmirësuar Standardet E Sigurisë Dhe Të Shërbimit, Në Sezonin Veror
VLORË, 28 korrik /ATSH-H.Koçi/ - Gjatë këtij sezoni veror, standardet e sigurisë dhe të shërbimit, në zonën bregdetare dhe pikat e vizitueshme turistike të Vlorës, janë përmirësuar ndjeshëm dhe janë më të mirat në 20 vitet e fundit.
Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në ato doganore, në sistemin rrugor, në qarkun e Vlorës, kushtet që ofrohen janë të pakrahasueshme qoftë edhe me një vit më parë. Krahas kësaj, standardet e shërbimit në plazhe janë përmirësuar ndjeshëm, ndërkohë që është përmirësuar dukshëm edhe niveli i furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike në të gjithë zonën bregdetare. Infrastruktura rrugore, tashmë e transformuar plotësisht, është e pajisur edhe me sinjalistikën e nevojshme vertikale dhe horizontale që, përveç të tjerash ka përmirësuar standardet e sigurisë.
Këto probleme ishin objekt i një takimi të zhvilluar sot, në mjediset e Prefekturës së Vlorës, me drejtues të njësive të qeverisjes vendore, të institucioneve lokale, të Drejtorisë së Policisë, të Policisë së Qarkullimit Rrugor, të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, ku u nënvizua se ruajtja e këtyre standardeve dhe përmirësimi i mangësive, që ende konstatohen përgjatë vijës bregdetare, kërkojnë një bashkëpunim të mëtejshëm.
Prefekti, Hasan Halili, nënvizoi se bashkëpunimi institucional duhet të orientohet në të gjitha drejtimet që kanë të bëjnë me sezonin turistik, veçanërisht në pjesën e bregdetit, për të krijuar kushtet e nevojshme për të pushuar, për turistët e huaj, emigrantët që kthehen në vendlindje dhe pushuesit vendas. Sipas Halilit, në pjesën e plazheve duhet të parandalohen plotësisht rastet e ndotjes, duke përfshirë edhe atë akustike, ndërkohë që duhet të shtohen më tej masat sidomos në disiplinimin e lëvizjes së mjeteve lundruese, ku përfshihen edhe motorrët e ujit.
"Asnjë mjet nuk do të dalë në det, nëse nuk plotësohen standardet", nënvizoi Drejtori i Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Arben Hajdarmataj.
Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Qarkut, Ylli Metko, theksoi se, pavarësisht masave të deritanishme, që kanë garantuar një mjedis dhe atmosferë të favorshme për zhvillimin e turizmit, Vlora nuk është përballur ende me fluksin maksimal të turistëve e të pushuesve, gjë që, sipas tij, do të thotë se programi i masave do të forcohet edhe më tepër.
Duke ju referuar Udhëzimit me nr 212 të datës 28 qershor të Ministrit të Brendshëm, të pranishmit vlerësuan se, kjo e bën edhe më të domosdoshme marrjen e masave të tjera, veçanërisht në kufizimin e hapësirës detare ku përdoren mjetet motorrike, për të parandaluar ngjarje të pakëndshme./ch/