Vlorë: Pd, Kërkon Shkarkimin E Kryetarit Të Këshillit Të Qarkut
VLORË, 28 korrik /ATSH-H.Koçi/.- Partia Demokratike e Vlorës, deklaroi sot se ka kërkuar shkarkimin e kryetarit të Këshillit të Qarkut, përmes kërkesës për një mocion mosbesimi që ja ka adresuar titullarit të këtij organi vendimmarrës në nivel lokal dhe institucionit të Prefektit.
Në një konferencë për shtyp, drejtues të kësaj partie për Vlorën dhe përfaqësues të saj, në Këshillin e Qarkut, bënë të ditur se mocioni i mosbesimit ndaj kryetarit të Këshillit të Qarkut, Agron Sharra, është një vendim politik, që lidhet me qëndrimin e mbajtur nga ai gjatë drejtimit të tij.
"Qëndrimi i zotit Sharra në funksionin e kryetarit te Këshillit të Qarkut, nuk ka qenë aspak në përputhje dhe në interes të Partisë Demokratike, por në dëm dhe në kundërshtim me politikat e saj, për qeverisjen vendore", nënvizuan drejtuesit e PD-së lokale dhe përfaqësues të saj në Këshillin e Qarkut.
Sipas tyre, përmes një mocioni mosbesimi, që është nënshkruar nga 33 këshilltarë, nga 59 që ka Këshilli i Qarkut, do të kërkohet shkarkimi i zotit Sharra, në mbledhjen jashtë rradhe të kërkuar nga institucioni i Prefektit.
"Funskioni i kryetarit të Këshillit të Qarkut është politik dhe zgjedhja e zotit Sharra në krye të tij, është bërë përmes një vendimi politik", theksuan ata.
Një ditë më parë, kryetari i Këshillit të Qarkut, Agron Sharra, i zgjedhur në qershor të vitit 2007 si përfaqësues i PD-së, kundërshtoi një kërkesë të Prefektit për zhvillimin e një mbledhjeje jashtë radhe të këtij këshilli, ku do të diskutohej një mocion mosbesimi i nënshkruar nga 33 këshilltarë të djathtë.
Prefekti Hasan Halili deklaroi se, me kompetencat që i jep ligji, ka thirrur mbledhjen jashtë radhe të Këshillit të Qakut, ditën e enjte./ch/