Zgjerim Marredheniesh Dhe Reformash Te Perbashketa Per Çeshtje Tregtare Me Bosnje-Hercegovinen
TIRANE, 28 Korrik/ATSH-K. Saraçini/. - Reformat e përbashkëta që Shqipëria dhe Federata e Bosnjes dhe Hercegovinës po ndërmarrin në fushën e çështjeve tregtare dhe sidomos në fushën e reformave rregullatore, ishin në qendër të takimit të zhvilluar mes drejtorit të Përgjithshëm i Politikave Tregtare në Ministrinë e Ekonomisë, Besjan Pesha me Kryeministrin e Federatës së Bosnjes dhe Hercegovinës, Mustafa Mujezinovic.
Burime nga METE bene te ditur sot per ATSH-ne se "takimi u fokusua rreth mundësive të shkëmbimit të eksperiencave në fushën e reformave dhe mbi hapat që Federata e Bosnjes ka ndërmarrë në fushën e reformës së inspektimit, sidomos në pjesën e dixhitalizimit të sistemit të inspektimit".
Drejtori i Përgjithshëm i METE, Besjan Pesha ndodhet prej dy ditësh në Bosnje dhe Hercegovinë në krye të një delegacioni ndërministror shqiptar, i cili po viziton një seri institucionesh, për t'u njohur nga afër me reformën në sektorin e inspektimit.
Delegacioni shqiptar ka zhvillluar takime me Kryeministrin e Federatës, drejtorin e Institucionit Qendror të Inspektimit, drejtoren e Agjencisë për Mbikqyrjen e Tregut, etj, të cilët kanë shpjeguar ndërmarrjen e reformave bashkë me përfitimet prej saj.
Pjesë e takimeve ishte edhe prezantimi i reformës elektronike të inspektimit, e cila ka filluar të implementohet së fundmi në Bosnje.
Reforma në fushën e inspektimeve në Shqipëri është tashmë në një fazë përfundimtare. Task Forca e drejtuar nga Kryeministri ka marrë disa vendime të rëndësishme dhe shume shpejt do të miratohet nga Parlamenti një ligj i ri mbi inspektimet, i cili do të përmirësojë dukshëm punën e inspektoriateve dhe do të uniformizojë sjelljen e inspektorëve ndaj biznesit.
Kjo reforma parashikon edhe dixhitalizimin e gjithë këtij procesi, për ta bërë atë më transparent dhe për të minimizuar korrupsionin./n.m/