English

150 Studentë Të Huaj Për Pushime Në Gjirin E Lalzit, Përfshihen Dhe Në Pastrimin E Plazhit

TIRANË, 29 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Mbetjet plastike janë ndër mbetjet kryesore urbane në bregdetin e Gjirit të Lalëzit në rrethin e Durrësit, ku 150 studentë të huaj që janë akomoduar për pushime në këtë zonë janë përfshirë dhe në një aksion pastrimi. Gjatë takimit me studentët e Gjeo-Shkencave nga vende të ndryshme të Evropës, ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, informoi për hartimin e një pakete ligjore që po përgatitet për trajtimin e mbetjeve plastike, që përbëjnë rreth 80 për qind të mbetjeve në Gjirin e Lalëzit. Gjatë bashkëbisedimit me studentët, Mediu vlerësoi si mjaft të rëndësishëm ecurinë e procesit të përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, duke përmendur dhe përpjekjet për paketën ligjore, akoma edhe më të konsoliduar, gjithnjë në shërbim të ambjentit dhe mjedisit. Ai vuri theksin mbi punën e madhe dhe hapat shumë të rëndësishëm që janë bërë për zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit në Shqipëri. Ministri i Mjedisit u ndal edhe në bashkëpunimin me vendet fqinje për ruajtjen e zonave dhe hapësirave ndërkufitare, shtimin e zonave të mbrojtura, menaxhimin e parqeve kombëtare dhe hapësirave pyjore. Ndërsa, mjaft i rëndësishëm, sipas tij, është dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë, e cila tashmë ka nisur të bëhet më e ndjeshme ndaj problemeve dhe çështjeve mjedisore. Ministri Mediu, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Jemin Gjana, së bashku me studentët e pranishëm organizuan edhe një aksion për pastrimin e plazhit të Gjirit të Lalëzit. Studentët e huaj, pjesë e fondacionit "Eugen", janë akomoduar në një kamping me çadra ne bregdetin e Gjirit të Lalëzit, ndërsa do të qëndrojnë në Shqipëri përreth një javë. Gjatë kësaj jave, ata do të njihen me natyrën, mjedisin, gjeologjinë dhe zhvillimin e saj, historinë e Shqipërisë./ch/
KOMENTE