Dhuna Në Familje- Ngrihet Qendra Kombëtare Për Rehabilitimin E Viktimave
Marku: Njësitë vendore, të marrin masat për ngritjen e qendrave në të gjithë vendin
TIRANE 29 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- Për herë të parë në Shqipëri ka nisur të funksionojë Qendra Kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Kjo qendër përbën nismën e parë shtetërore që i ofrohet kësaj kategorie, pas plotësimit të bazës ligjore, ngritjes së strukturave, trajnimin e tyre ndaj fenomenit të dhunës në familje dhe ofrimit të asistencës për viktimat.
Drejtuesja e Politikave për Shanset e Barabarta dhe Familjen në Ministrinë e Punës, Alma Marku, tha se "qendra parashikon të ofrojë për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare shërbime këshillimi, psikosociale, programe rehabilitimi, asistencë mjekësore e juridike, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. Ajo do të shërbejë dhe si qendër kombëtare e trajnimit të specializuar për punonjësit që veprojnë në këtë fushë".
Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje është e para, por jo e fundit që do të ofrojë shërbime për viktimat, theksoi Marku, duke dekaruar se "njësitë vendore, të sensibilizuara rreth nivelit të shtrirjes së këtij fenomeni, duhet të fillojnë punën për ngritjen e qendrave rajonale, apo lokale".
Ministria e Punës, gjatë kësaj periudhe, ka vazhduar punën për forcimin e mekanizmave institucionalë për menaxhimin e këtij fenomeni si dhe rritjen e ndërgjegjësimit ndaj dukurisë së dhunës dhe domosdoshmërinë e denoncimit të saj.
Nga analizat periodike rezulton se shtimi i rasteve të denoncuara, vjen si rezultat i këtij sensibilizimi dhe i garantimit nga strukturat e policisë të masave mbrojtëse që rrjedhin nga ligji "Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare".
Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 801 raste të dhunës në familje. Po të krahasohen me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar konstatohet një rritje me 255 raste të evidentuara dhe trajtuara nga strukturat e policisë.
Ndryshe nga vitet e kaluara, kur rastet më të shumta të denoncimit i përkisnin rrethit të Tiranës, gjatë këtij viti janë regjistruar denoncime nga gjithë rajonet e vendit. /k.sh/