English

Dossier/ Vlorë: Udhëtim Tre Javë Me Nëndetëse, Kalinigrad-Vlorë

VLORË, 29 korrik /ATSH-H.Koçi/ - Qemal Hysajn rastësia e bëri atë protagonist dhe dëshmitar të një ngjarjeje të rrallë, lundrimit 21 ditor me katër nëndetëset e para që u bënë bërthama e Bazës Ushtarake të Pashalimanit, 25 km në jug të Vlorës. Pas 52 vjetësh, Qemal Hysaj, një nga ish- ushtarakët e parë dhe një nga ish-drejtuesit e lartë të Flotës Luftarake Detare, ish komandant i Rregjimentit Detar në Vlorë me gradën Kapiten i Rangut të Parë (i barazvlefshëm me gradën e kolonelit), e kujton me nostalgji atë udhëtim, që shënoi veç të tjerash edhe pikënisjen e karrierës së tij ushtarake. Hysa, që kishte përfunduar studimet në Akademinë e Marinës "Krillov", në Leningrad (sot Shën Petërburg) në ish Bashkimin Sovjetik, kërkoi nga komanda të kryente praktikën në një bazë nëndetësesh. "Ishte qershori i vitit 1958 dhe unë kisha përfunduar studimet për specialitetin e armatimit të anijeve luftarake. Por, pavarësisht kësaj, kërkova që praktikën ta zhvilloja në nëndetëse, gjë që m'u aprovua menjëherë nga komanda", tregon Hysa. Në korrik të atij viti, së bashku me bashkatdhetarin e vet, Hetem Shkëmbi, student në Akademinë e Detarisë "Krillov", shkuan në bazën ushtarake detare të nëndetëseve "Bolldaraj" në Riga, kryeqyteti i Letonisë. Aty ishin strehuar dhe katër nëndetëset, që do të bëheshin bërthama e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit. "Por, ne nuk e dinim këtë fakt, sepse e mësuam disa javë më vonë, kur u nisëm drejt vendit tonë", tregon ish-ushtaraku. Teksa kryente praktikën me armatimet, ai u bë dëshmitar i një incidenti, që sipas tij, mund të shoqërohej me pasoja katastrofike për bazën. "Një nga specialistët e armatimit konstatoi se një prej silurëve kishte detonatorin në pozicion të aktivizuar, që do të thoshte se në çdo moment lënda eksplozive, mund të shpërthente duke provokuar një sistem zinxhir, me pasoja të paimagjinueshme, por që u parandalua në kohë dhe u cilësua një veprim sabotues", shprehet ish-ushtaraku i lartë. Hysaj, mjaft i emocionuar edhe sot, megjithëse 82 vjeçar, tregon me detaje gjithçka ndodhi në atë verë të largët, atje në bazën e nëndetëseve, kur pak javë më pas, u njoftuan se katër nëndetëset do të niseshin për në Shqipëri. "E morëm vesh lajmin dhe faktin se në kuadrin e një marrëveshjeje me Traktatin e Varshavës, do të krijohej Baza Ushtarake Detare e Pashalimanit. U gëzuam, por u lumturuam edhe më shumë kur mua dhe shokut tim na u aprovua kërkesa tjetër për të lundruar me grupin e nëndetëseve, ndërsa normalisht, duhej të udhëtonim me avion drejt vendit tonë. Katër nëndetëset u zhvendosën për në bazën ushtarake detare të Kaliningradit (ish-Keningsberg), ku u krijua njësia që u emërtua Brigada e Nëndetëseve e Pashalimanit, me komandant admiralin Jegorov. Në të përfshihej edhe baza lundruese "Njemçinov" (më vonë u emërtua "Tomorri"), një mjet lundrues tepër modern, prodhuar posaçërisht për Bazën e Pashalimanit", vijon tregimin e tij, ish ushtaraku i lartë, Qemal Hysaj. - 21 ditë, mijra milje - Pak ditë përpara nisjes, në bazën e Kaliningradit mbërritën edhe ushtarakët shqiptarë që do të ishin drejtuesit e Brigadës së Nëndetëseve. Mes tyre, Xhemal Shani, komandant i Brigadës, Dashamir Ohri, Spiro Kote, Shyqyri Çukaj dhe Beqir Gërbi, respektivisht komandantë të nëndetëseve. U nisëm një mëngjes, ditën e parë të gushtit, përmes Balltikut në Detin e Veriut, vazhduam pastaj lundrimin drejt vendit tonë. Në bord ishte dhe komandanti i Brigadës, Admirali Jegorov, i njohur si personazhi i famshëm i komandantit rus, në filmin "Ballë përballë". Lundrimi i nëndetësve bëhej mbi ujë. Kompletimi luftarak i tyre, ishte në përputhje me kushtet e luftës. Pas na ndiqnin në këtë lundrim edhe dy mjete transporti, një çisternë me karburant dhe një anije për transportin e materialeve dhe ushqimeve të nevojshme. Lundronim mesatarisht me 18 milje në orë, por shpesh edhe më pak. Pasi përshkuam detin Balltik kaluam përmes ngushticës Kategar, ku u ndamë në dy grupe, me nga dy nëndetëse, dhe anijet ndihmëse, për shkak se, sipas konventave ndërkombëtare për këtë zonë, nuk mund të kalonim të gjitha bashkë, në anën e bregdetit të Suedisë. Kur dolëm në detin e Veriut, njësia u bashkua dhe vazhduam lundrimin drejt Kanalit të La Manshit. Ndërkohë, në qiell, gjatë gjithë kohës, na ndiqnin avionë luftarakë të NATO-s, që na mbanin në vëzhgim. Njësia qëndroi në radë, përballë portit anglez të Doverit, ku nëndetëset u furnizuan me karburant, pasi sasia prej 119 tonësh, aq sa është kapaciteti i depozitave për çdo nëndetëse, nuk mjaftonte për këtë udhëtim të gjatë. Më pas, anija çisternë u kthye drejt Rusisë, ndërsa ne u njohëm me një radiogram që Moska i dërgonte komandantit, ku i kërkonte të qëndronim deri në një njoftim të dytë për shkak të kushteve të pritshme atmosferike mjaft të këqia. Por Jegorov urdhëroi për të kundërtën. Ajo që prisnim, ndodhi në dalje të kanalit të La Manshit. Na kapi fortunali që vinte nga perëndimi, nga oqeani Atlantik me drejtim gjiun e Biskajës drejt brigjeve të Francës. Era e fuqishme 8-9 ballë, ngrinte një valëzim të jashtëzakonshëm. Gjithçka mbulohej nga dallgët. Një shkumë e bardhë dhe një tym i dendur e bllokonin tërësisht shikimin. Baza lundruese (sepse nëndetëset nuk kishin problem) lëkundej sa në një anë në tjetrën dhe animi (kreni) i kalonte 40 gradë. Na dukej se nga momenti në moment, anija nuk do të drejtohej më dhe ne do të përfundonim në fund të detit. Ekuipazhi dhe ushtarakët rusë, të mësuar dhe sprovuar me situata të jashtëzakonshme, në një moment u shqetësuan. Komandanti kërkoi diagramat e qëndrueshmërisë së anijes. Pas kësaj, ai urdhëroi ndryshimin e kursit, në drejtimin jugperëndim, gjë që amortizoi goditjen e dallgëve në trupin e anijes. Kështu vazhduam për 24 orë, duke shmangur një rrezik, në një zonë që është bërë shpesh "varri i anijeve". Në Gjibraltar hymë me një mot të mirë dhe det të qetë. Tregimi i 82 vjeçarit Qemal Hysaj vijon më pas me një ngjarje interesante. "Përbri bazës angleze të Gjibraltarit, na bënë shenja me drita. Në bazë të konventave ndërkombëtare për detin, ne duhej të përgjigjeshim. Por admirali Jegorov urdhëroi të mos bënim asnjë veprim. "Eh, krenaria dhe kokëfortësia ruse", mendova, duke mos bërë zë, teksa qëndroja pranë atij njeriu me trup të bëshëm, 55 vjeç, që ishte aq i sigurtë dhe aq i prerë në gjithçka bënte", tregon Hysaj. -Mbërritja në Bazën e Pashalimanit- Mëngjesin e datës 21 gusht, njësia e nëndetëseve mbërriti në afërsi të Sazanit. "Në afërsi të ishullit kishin dalë për të na pritur 2 mjete "katër silurues". Prej tyre dolën dhe u ngjitën në bazën lundruese, dy kundëradmiralë. Nuk i njihja. Më thanë se, ishin Komandanti i Flotës Luftarake Detare Shqiptare, Teme Sejko dhe këshilltari i tij sovjetik. Në drekë, njësia mbërriti në Bazë. Aty u zhvillua edhe ceremonia, në prani të ushtarakëve të të dy vendeve. Baza ishte ende në hapat e para. Kishte pak ndërtesa dhe bankina për ankorimin e mjeteve ludruese, ishte portative e krijuar me pontone lundruese. Në këtë ceremoni, nga pala shqiptare, përshëndeti, gjeneral Sadik Bekteshi, ish Drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Kështu e përshkruan ish-ushtaraku Qemal Hysaj fundin e këtij lundrimi 21-ditor, që shënoi fillimin e funksionimit të Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit, e njohur për historinë e saj, veçanërisht për atë përplasje të madhe që ndodhi mes dy vendeve ish aleate, Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik në vitet 1960-1961./ch/
KOMENTE