English

Elbasan: Histori Traktoristësh

RISTË ELBASAN, 29 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku - Një mëngjes të mjegullt fushave të Dumresë, në vitet 50, traktoristi Ibrahim Peqini i shoi flakët e traktorit me trupin e tij dhe humbi jetën. Sikur të kishte nguruar, të kishte menduar për jetën e tij, fundi ishte edhe më i frikshëm, tregon traktoristi pensionist Daut Cangoi. Sipas tij, shanset më të mëdha ishin që Ibrahimi të përfundonte në burg. Akuza ishte e gatshme: sabotim i pronës socialiste. Asokohe, sllogani "Njeriu është kapitali më i çmuar" përdorej gjithandej, por realiteti ishte ndryshe. Ibrahimi kishte zgjedhur profesionin e traktoristit si një mundësi për të mos i rënë bretku mbi kazmë. Traktori, një DT-54, ishte një rrangallë. Në fakt ishte shumë e vështirë në atë periudhë që traktorët të ishin në gjendje të mirë pune. "Herë dilnin kunjat e pllakave të zinxhirit, herë difektohej pompa e naftës e njëqind e një defekte të tjera. Vajtja në ofiçinë përbënte një tmerr të vërtetë. Do të prisje javë e muaj të tërë për një pjesë ndërrimi", kujton ish-traktoristi, Sefer Tata. Daut Cangoi risjell në vëmendje kohën kur u prodhua traktori i parë i markës shqiptare, në zbatim të parrullës "Të mbështetemi mbi forcat tona." Ky traktor iu dhurua kooperativës bujqësore malore të Shmilit, dhe aty iu besua traktoristit të ri Cangoi. "Shqiptare ishte vetëm shasia, zemra dhe arteriet e traktorit qenë të gjitha të prodhuara në Kinë," thotë Dauti. "Që në brazdat e para ndodhi ajo që nuk pritej, një deformim i plotë i shasisë. U desh që kjo dhuratë të çohej natën e në fshehtësi të plotë në uzinën "Traktori", për të lënë pas vetëm emrin e bujshëm", thotë Dauti. Pas një kohë të gjatë pritjeje, Dautit i dhanë një tjetër traktor, të cilin vite më vonë ai e privatizoi dhe vazhdon, me shumë mundime, ta përdorë edhe sot për të punuar tokat e Griqanit, në zonën e Labinotit. Ai i sheh me zili ata dhjetëra traktorë të rinj me goma të blerë nga djemtë e fshatit./ch/
KOMENTE