Forcat E Armatosura, 14 Vjet Në Misione Paqeruajtëse
-Flet Shefi i Shtabit te Përgjithshëm të Ushtrisë, Maksim Malaj-
TIRANË, 28 Korrik/ATSH/ - Forcat e Ushtrisë Shqiptare janë pjesë e misioneve ndërkombetare te NATO-s prej 14 vetësh, duke ofruar kontributin e tyre në të mirë të sigurimit të paqes në shumë shtete me konflikte e probleme sigurie.
"Shqipëria është një ndër vendet e para të ish-bllokut komunist që shprehu vullnetin për t'iu bashkuar Aleancës së Atlantikut të Veriut e bashkë me të edhe për të kontribuar me trupa paqeruajtëse në misione të ndryshme," thotë në një intervistë për ATSH-në shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Maksim Malaj.
Sipas tij, për herë të parë forcat ushtarake shqiptare u angazhuan në misionet ndërkombëtare të NATO-s në shtator 1996, me një togë paqeruajtëse në misionin e Bosnjes.
Pas këtij misioni pjesëmarrja e Forcave të Armatosura në misionet ndërkombëtare u rrit dhe u shtri në disa kontinente. Shqiprëia ka sot rreth 310 forca të angazhuara në operacione paqeruajtëse.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, veçon si histori suksesi angazhimin e ushtarakëve shqiptarë në misionin e Irakut, që ai e cilëson të përfunduar më së miri.
"Pjesëmarrja e trupave shqiptare në misionin "Liria e Irakut" përbën një shkallë te re të angazhimit tonë ushtarak jashtë vendit," thotë ai duke vënë në dukje se ishte hera e parë që merrnim pjesë me një numër kaq të madh ushtarakësh jashtë vendit dhe se rreziku në Irak ishte i madh.
"Për herë të parë ne u rreshtuam në krah të aleatëve tanë të mëdhenj në një skenë të tillë luftimesh", thotë Malaj.
Zyrtari më i lartë i ushtrisë shqiptare ndalet tek një tjetër mision i rëndësishëm për Forcat e Armatosura, ai në Afganistan, ku Shqipëria numëron gjithësej 249 trupa, në operacionin e drejtuar nga NATO ISAF (Forca Ndërkombëtare e Asistencës në Afganistan).
"Ndryshimi i kontigjenteve bëhet mbi bazën e sistemit të rotacionit që normalisht zgjat gjashtë muaj, periudhë që përkon me përgatitjen e trupave që zëvëndësojnë kolegët e tyre", sqaroi Malaj.
Pas më shumë se një vit nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, trupat e ushtrisë shqiptare nuk do të jenë të angazhuara vetëm në prapavijë, por edhe në operacionet luftarake. Vetëm një ditë më parë drejt Afganistanit u nis kontigjenti i parë në këtë mision të vështirë, i përbërë prej 44 tupash.
Shefi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare u shpreh me konsiderata të larta për angazhimet e Forcave te Armatosura në misionet ndërkombëtare, në kuadrin e NATO-s, BE, OKB-së etj, duke theksuar se kontributi i FA në këto misione ka marrë vlerësimet maksimale jo vetëm nga institucionet brenda vendit, por edhe nga të gjitha vendet aleate.
Misioni "Liria e Irakut"
"Te jetosh me të papriturën nuk është e lehtë", shprehet nënkoloneli Lirim Licaj, për kohën kur shërbeu në misionin e madh paqeruajtës të koduar "Liria e Irakut", në Mosul në vitin 2005.
Licaj ishte pjesë e një kontigjenti ushtarak të forcës shumëkombëshe në Mosul, ku shërbeu për 6 muaj në këtë zonë të konsideruar me risk te lartë.
"Gjithsej ishim 120 veta, 3 toga të forca speciale, përfshi kompaninë shqiptare," tregon Licaj. "Gjendja aty precipitonte nga sekondi në sekondë dhe nuk kishe garanci se kur mund të përballeshe me terroristë, mina luftarake etj."
Ai kujton se në një patrullim natën kishin hasur në një predhë që plasi duke plagosur në dorë një oficer shqiptar.
Megjithatë, shërbimi në Mosul, për Licajn, nuk është thjesht një ekperiencë personale më shumë, por dhe një histori krenarie. Siç rrëfen ai, me shërbimet e bëra në Mosul kishin ofruar kontributin e tyre në të mirë të sigurimit të paqes.
"Kemi qenë ndihmë e madhe për komunitetin e atjeshëm, duke e siguruar atë nga aktivitete të rrezikshme," thotë nënkoloneli 45 vjeçar.
Si shume ushtarakë shqiptarë të përfshirë në misione jashtë shtetit, ai është një tjetër dëshmi e ndjenjës së lartë të përgjegjësisë, guximit e trimërisë së Forcave të Armatosura.
"Kishim vlerësime maksimale nga kolegët tanë perëndimorë," shprehet Licaj, i cili ka një karrierë mbi 22 vjeçare në ushtrinë shqiptare.
Në kujtimet e tij gjatë shërbimit në Irak, sigurisht, veçon dhe familjen. "Më merte malli shumë, sidomos për dy fëmijët e mi, me të cilët mbaja kontakte përmes telefonit," kujton i emocionuar ai.
Përgatitën Suada Daci, Andi Myrte.
/ch/