Prishtinë, 29 korrik, NOA – Një zyrtar i ri kosovar ka rënë në pranga nga forcat e EULEX-it për akuzat që kanë të bëjnë me ushtrimin e korrupsionit pasiv.
Kështu, bëhet me dije se forcat e departamentit të Policisë Ekzekutive të EULEX-it në Prishtinë, kanë kryer sot bastisje në banesën private dhe zyrën e një administratori të teknologjisë informative (IT) në qeverinë e Kosovës.
Ky akt ka lidhje sipas tyre me hetimin e ndërmarrë ndaj ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit për akte korruptive dhe shkelje ligji.
Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.
Ndërsa i pandehuri është arrestuar dhe mësohet se akuzohet për pengim të mbledhjes së provave në kuadrin e këtij hetimi.
Aktualisht, ai gjendet në paraburgim policor të autorizuar nga prokuroria speciale e Kosovës.
n.e/NOA