Kosove: Akuza Shtese Ndaj Guvernatorit Te Bankes Qendrore
PRISHTINË, 29 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Prokuroria Speciale e Kosovës ka zgjeruar sot hetimin ndaj guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi me akuza shtesë: "Abuzimi i pozitës zyrtare" dhe "Marrje e ryshfetit".
"Çështja ka të bëjë me lëshimin e licencave të punës së kompanive të sigurimit gjatë periudhës 2006-2008", njoftoi pak më parë EULEX.
Guvernatori kosovar u arrestua javën e kaluar dhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi oficerët e Policisë së Kosovës që janë pjesë e Task Force Kundër Korrupsionit, kishin bastisur shtatë lokale, përfshirë zyrat e Bankës Qendrore. /a.ke/