English

Kosovë - Hyseni Dhe Dicarlo Bisedojnë Për Hapat Dhe Veprimet Pas Gjnd-Së

PRISHTINË, 29 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, gjatë qëndrimit në Nju Jork, zhvilloi një takim me ambasadoren amerikane në OKB, Rosemary DiCarlo. Sipas një njoftimi të ministrisë së Jashtme, ministri Hyseni dhe ambasadorja DiCarlo kanë biseduar në detaje rreth hapave dhe veprimeve të ardhshme që do të ndërmerren pas dhënies së Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ministri Hyseni ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kosovën, si dhe ka theksuar nevojën e bashkërendimit të ngushtë të aktiviteteve dhe veprimeve të të dyja vendeve, thuhet në deklaratë. Ministri Hyseni në Nju Jork ka vazhduar serinë e takimeve me përfaqësues të përhershëm të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Vetëm gjatë ditës së sotme, Ministri ka zhvilluar mbi dhjetë takime të ndryshme, me qëllimin themelor për të shpjeguar kuptimin dhe përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe në vijim të kësaj, për të ripërsëritur thirrjen për njohjen e shtetit të Kosovës, thuhet në deklaratën e ministrisë./ch/
KOMENTE