English

Kosovë, vret ish bashkëshorten dhe nënën e saj, plagos një tjetër, arrestohet autori i vrasjes së dyfishtë

Bërnicë, 29 korrik, NOA – Në një aksion blic, për më pak se 5 minuta, njësitet e nënstacionit policor të Bërnicës kanë mbërritur në vendngjarje, duke hedhur në pranga në flagrancë, një të dyshuar, i cili ende kishte në duart e tij, një armë automatike të llojit AK 47, e përdorur për vrasjen e dy persone dhe plagosjen e një tjetri.

I arrestuari është 45 vjeçari Bejtush G.

Pasditen e djeshme përmes një telefonate anonime policia e Bërnicës, mësoi se rreth orës 17:30, në fshatin Bardhosh në afërsi të kishës ortodokse kishte ndodhur një vrasje. Njësitet e nënstacionit policor të Bërnicës, në më pak se 5 minuta kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin, i cili mbante në dorë armën e krimit.

Policia e Kosovës bën të ditur se i arrestuari u arrit të neutralizohej duke i konfiskuar menjëherë armën e llojit AK 47 dhe 25 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur pas tyre edhe hetuesit dhe kriminalistët të cilën bënë ekzaminimin e vendit ku ndodhi krimi i dyfishtë.

Nga hetimet njoftohet se 45 vjeçari Bejtush. G ka qëlluar me armë zjarri ish gruan e tij E. K. 40 vjeçare, dhe prindin e saj Sh. K. 70 vjeç, si dhe motrën e ish gruas së tij, H. K. 35 vjeçare.

Nga plagët e marra, gruaja e autorit të vrasjes ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje, vdekje e konstatuar edhe mjeku i kriminalistikës ligjore.

Ekipi i ndihmës së shpejtë ka transportuar personat e plagosur me armë zjarri në QKUK për trajtim mjekësor dhe rreth orës 19:30, policia mësoi se edhe e ëma e viktimës ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

Viktima e tretë H.K, në këtë incident kriminal, e motra e ish gruas së autorit të krimit, është duke u trajtuar në QKUK dhe mësohet se është e lënduar rëndë.

Prokuroria po heton mbi vrasjen e dyfishtë dhe rrethanat e saj ende nuk janë mësuar.

mit/NOA
KOMENTE