English

Kushtetuesja/Ps: Presidenti Topi Të Mos Bjerë Pre E Shantazhit Të Qeverisë

TIRANË, 29 Korrik/ATSH/.- Partia Socialiste (PS) i bëri sot thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi që të mos bjerë pre e shantazhit të qeverisë, në procesin e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, në një deklaratë për mediat, duke marrë shkas nga debati i hapur dje mes Presidencës dhe PD-së, lidhur me emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, tha se "kryeministri e ktheu procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në një proces abuziv, duke shkelur Kushtetutën dhe marrë peng drejtësinë". "Dje, në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur vëmendjen e publikut nga kriza e vërtetë e transparencës së munguar mbi zgjedhjet e vjedhura e mbi ekonominë e kapur, është hapur një krizë të re me Presidentin e Republikës", tha deputeti Tahiri. Mbarimi zyrtar i mandatit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese më 4 qershor dhe mosemërimi i kryetarit të ri nga ana e Presidentit të Republikës shkaktoi dje polemika të ndërsjella mes Presidencës dhe përfaqësuesve të maxhorancës. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, e konsideroi këtë fakt "një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar dhe një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor". Halimi i kërkoi Presidentit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht kërkoi thirrjen urgjente të parlamentit për të bërë emërimin e tij. Nga ana e saj Presidenca e Republikës reagoi duke deklaruar se "vonesat në mosemërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur si pasojë e burokracive në Kuvend dhe jo për faj të Presidentit"./a.s/ch/
KOMENTE