Letermen: E Ardhmja E Shqipërisë Është Anëtarësimi Në Be
-Kryeministri Sali Berisha u prit nga kryeministri belg Yves Leterme gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës-
TIRANË, 29 Korrik/ATSH, A.Gegvataj /- "E ardhmja e Shqipërisë është anëtarësia plotë në BE dhe Belgjika do t'ju ndihmojë në të gjitha hapat tuaja drejt BE-së", deklaroi sot, Kryeministri i Belgjikës Yves Letermen i cili priti në Bruksel, Kryeministrin Sali Berisha.
Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Kreu i egzekutivit , i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës u prit nga kryeministri belg Yves Leterme.
Gjatë takimit, Leterme vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve e qeverive, bashkëpunimin e ngushtë e frytdhënës në shumë fusha, duke e cilësuar vizitën e Kryeministrit Berisha si një shprehje tjetër e vendosmërisë së dy qeverive për të konsoliduar lidhjet e gjithanshme e miqësore midis dy popujve e vendeve miq.
Diskutimet mes dy kryeministrave u përqëndruan mbi prioritetet e Presidencës belge të radhës së BE-së dhe projektin madhor të integrimit të Shqipërisë.
Në këtë pikpamje, Kryeministri Leterme i rikonfirmoi Berishës mbështetjen e Presidencës belge për të ecur përpara e me shpejtësi drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në BE.
Duke shprehur vlerësimin për progresin e rëndësishëm dhe arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, Leterme përshëndeti vendimin e Komisionit për liberalizimin e vizave pas vlerësimit të ekspertëve.
Ai shprehu bindjen e thellë për realizimin e ëndrrës së shqiptareve për heqjen e vizave me vendet Shengen gjatë Presidencës belge brenda vitit 2010 si dhe siguroi mbështetjen ndaj Shqipërisë edhe për anëtarësim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Gjithashtu Kryeministri belg ritheksoi se Belgjika mbështet kandidaturën e Shqipërisë për kryesimin e radhës së OSBE-së.
Lidhur me situatën e shkaktuar nga kriza ekonomike botërore, Kryeministri Leterme vlerësoi faktin që Shqipëria është një ndër vendet e rralla në Evropë që nuk u prek nga kjo krizë.
Në këtë kontekst , Kryeministri Berisha deklaroi se "ishin një sërë reformash të qeverisë, si barra fiskale më e ulet në Evropë, taksa e sheshtë në nivelin 10 përqind, krijimi i klimës më të favorshme përmes thjeshtëzimit të procedurave, modernizimit dhe digjitalizimit të tyre dhe vendosja e one stop shop etj që bënë të mundur që qeveria t'i rezistojë krizës".
Duke bërë një ekspoze të reformave dhe arritjeve gjatë kësaj periudhe, Berisha nënvizoi se "qeveria shqiptare i qëndron përqasjes për një proces të bazuar në performancë, si platforma më e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe arritjen e standardeve evropiane për jetën e qytetarëve".
Të dy kryeministrat ripohuan vendosmërinë e dy qeverive për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, në veçanti shkëmbimet ekonomike - tregtare dhe zgjerimin e investimeve belge në Shqipëri,të cilat po tregojnë gjithnjë e më tepër një interes të lartë për të hyre në tregun shqiptar.
Diskutimet mes dy kryeministrave u përqëndruan edhe në zhvillimet e funidt në rajon në veçanti për Kosovën pas vendimit të GJND-së, ku Kryeministri i Belgjikës ripohoi mbështetjen e plotë të deklaratës së përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Ashton./n.m/