Media - Kinë - Një Gazetar Në Arrati Shndërrohet Në Hero
PEKIN, 29 korrik /ATSH-AFP/ - Një gazetar kinez në arrati dhe që kërkohej nga policia pasi denoncoi veprimet dyshuese korruptive të një ndërmarrjeje, është shndërruar në hero, veçanërisht në faqet e internetit.
Qiu Ziming, gazetar i gazetës ''The Economic Observer'', qëndron i fshehur prej disa ditësh pasi është përfshirë në listën e personave të kërkuar nga policia për zbulimin në shkrimet e tij të parregullsive të dyshuara të një prodhuesi të rëndësishëm të baterive në lindje të Kinës.
''Kan Specialties Material Corporation'', ndërmarrje në provincën e Zhejiang, në distriktin Suichang dhe i vlerësuar në Bursën e Shenzhenit hodhi poshtë këto sulme dhe akuzoi Qiun për shpifje.
Ky i fundit u fsheh pasi mësoi se kërkohej nga policia e Suichangut.
Por, gazetari vazhdoi luftën e tij duke konfirmuar se është i pafajshëm dhe kërkon drejtësi në blogun e tij, gjë që i ka mundësuar të fitojë mbështetje masive.
"Ajo që kam publikuar është e vërteta'', shkroi dje Qiu në blogun e tij duke shtuar se disponon prova të mjaftueshme për të provuar parregullsitë dhe nuk ka frikë nga policia./
/ec/ a.jor.