English

Meta: Jemi kundër ndryshimit të kufijve

Shkup, 29 korrik, NOA – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, në një intervistë dhënë BBC-së, tha se dy vendet kanë vizion të njëjtë përsa i përket integrimit të plotë euroatlantik të dy vendeve fqinje.

Ai paralajmëron intensifikimin e punimeve nga të dyja palët për zbatimin e projektit të Korridorit VIII, ndërkohë që shprehu shpresën se autoritetet maqedonase do të zbatojnë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.

Z.Meta, cili është vlerësimi juaj për marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni?

- Këto marrëdhënie janë tepër solide, të konsoliduara tashmë prej dy dekadash, janë marrëdhënie të vendeve që ndajnë të njëjtin vizion dhe aspiratë për të qenë me të drejta të plota, pjesë e komunitetit euroatlantik. Në këtë drejtim, marrëdhëniet tona shënojnë progres të vazhdueshëm. Kemi rënë dakord për të konkretizuar drejtimet tjera të këtyre marrëdhënieve në mënyrë që të shtohen më tej shkëmbimet ekonomike dhe tregtare, por njëkohësisht të modernizohet më shumë infrastruktura që bashkon dy vendet, por dhe infrastruktura midis dy vendeve që ka një funksion më të rëndësishëm rajonal.

Kur është fjala për infrastrukturën, zoti Meta, ka vite që po flitet për Korridorin e Tetë që lidh edhe Maqedoninë me Shqipërinë, por fitohet përshtypja se veç fjalëve nuk është bërë diçka më konkrete. Cili është mendimi juaj?

- Pikërisht për Korridorin Tetë kemi folur dhe kemi marrë angazhime të rëndësishme në mënyrë që të konkretizohen disa elementë të rëndësishëm që nga ndërlidhja hekurudhore midis dy vendeve, e cila mungon, e deri tek aspektet tjera të këtij korridori për të cilat kemi rënë dakord që të forcojmë bashkëpunimin edhe me Italinë, Bullgarinë dhe me vendet tjera.

Zgjidhja e problemeve bilaterale në Evropën Juglindore nuk qëndron në politikat irracionale për krijimin e kufijve, por në bashkëpunimin rajonal në të cilin kufijtë nuk do të jenë të rëndësishëm". Ky është konstatimi i bërë publik pas bisedimeve që keni zhvilluar me homologun tuaj maqedonas, zotin Milloshoski. Sa është shqetësuese kjo çështje?

- Ende dëgjohen zëra për ndryshime kufijsh, për shkëmbime territoresh, pavarësisht se janë të izoluar dhe nuk e dominojnë klimën e përgjithshme pro-evropiane që ekziston në rajonin tonë, prandaj kemi ritheksuar se prioritet i vendeve të rajonit tonë nuk mund të jetë kurrsesi ndryshimi i kufijve, por heqja e tyre, heqja e barrierave që pengojnë bashkimin e njerëzve, bashkimin e popujve dhe njëkohësisht bashkimin me Europën.

Homologu i juaj maqedonas, Milloshoski, jo më larg se dy ditë më parë, në Bruksel ka deklaruar lidhur me zgjerimin e BE-së se, po e citoj, Islanda ka fat që ka fqinj më të mirë se Maqedonia. Ju zoti Meta, çfarë mendoni, a do të tejkalohet për së shpejti ky pesimizëm i zotit Milloshoski, gjithnjë duke marrë parasysh bashkëpunimin rajonal që emërtohet si një ndër faktorët kryesorë për integrimin

- Edhe në takimet e zhvilluara me udhëheqësit më të lartë të vendit dhe me drejtues të partive kryesore politike, këtu në Shkup dhe në Tetovë, kam fituar përshtypjen se ekziston një besim se vendi i Maqedonisë është pikërisht në NATO dhe në Bashkimin Europian, dhe kjo është një perspektivë e afërt. Në këtë drejtim, pavarësisht nga vështirësi të caktuara, duket se ka vullnet për t'u zgjidhur edhe probleme që ende janë në tryezë dhe që duhet t'i përkasin të kaluarës.

Gjatë qëndrimit në Shkup ju keni riafirmuar qëndrimin e Tiranës zyrtare për vënien në jetë të Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Meta, fitohet përshtypja se faktori politik shqiptar atje nuk është gjithaq i kënaqur me zbatimin e saj. Cili është mendimi juaj?

- Ne besojmë se Marrëveshja e Ohrit ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin e situatës politike në Maqedoni dhe në progresin që ajo ka bërë gjatë këtyre gati nëntë viteve drejt NATO-s dhe BE-së. Natyrisht, unë kam theksuar se është e rëndësishme të kemi një zbatim të plotë dhe efikas të kësaj marrëveshje dhe ne besojmë dhe dëshirojmë që të shikojmë një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të ngushtë midis forcave politike shqiptare dhe autoriteteve maqedonase në mënyrë që kjo marrëveshje të respektohet dhe të implementohet në mënyrë rigoroze.

BBC

KOMENTE