Meta: Shqipëria Do Të Mbështesë Maqedoninë Për Anëtarësimin Në Nato
TIRANË, 29 Korrik/ATSH, A.Gegvataj /- Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka vlerësuar të enjten progresin e Maqedonisë në integrimin evropian, liberalizimin e vizave me BE-në, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO.
Në ditën e dyte të vizitës në shtetin fqinj, njoftoi zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme, Meta është pritur në një takim nga kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski. Gjatë këtij takimi u ra dakort për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe angazhimin në projekte të përbashkëta, veçanërisht në infrastrukturë si dhe për rritjen e shkëmbimeve tregtare.
Njëkohësisht, ata theksuan dhe nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, kulturës si dhe për hapjen e pikave të përbashkëta kufitare e doganore.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për mbajtjen sa më shpejt të komisioneve të përbashkëta ekonomiko-tregtare, për zgjidhjen e incidenteve kufitare, mirëmbajtjen e shenjave kufitare, menaxhimin dhe shfrytëzimin e ujerave, përfshirë këtu edhe Liqenin e Ohrit.
"Shqipëria mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si garanci për sigurimin e stabilitetit, si dhe integritetin territorial dhe sovranitetin e Maqedonisë", deklaroi Meta.
Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi se "Maqedonia bëri një hap të guximshëm për njohjen e shtetitë të ri kosovar, duke zgjidhur çështjen e kufirit me të, një hap jo i lehtë në atë kohë, por që sot, pas opinionit të GJND-së, duket qartë se ka qenë veprimi i duhur politik i cili ka krijuar një bazë solide legjitimiteti".
"Opinioni i GJND-së, ndihmon forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, në mënyrë të veçantë do ndihmojë edhe Serbinë për të parë dhe punuar drejt të ardhmes europiane", tha zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Ai i përcolli Kryeministrit Gruevskit përshëndetjet e Kryeministrit Berisha dhe përsëriti vullnetin e tij për një vizitë zyrtare në Shkup në një periudhë të afërt. /ch/